Tiranë, 11 prill 2011, NOA – Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi sot pas rënies së suvasë së tavanit në palestrën e shkollës “Dora d’ Istria” në kryeqytet, duke akuzuar kryebashkiakun e Tiranës, Edi Rama se me indiferencën e tij dhe me ndërtimin e tavaneve elektorale po vë në rrezik sigurinë e fëmijëve.
“Sot u rrëzua edhe një tavan tjetër pas tavanit elektoral të gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, deklaroi nënkryetarja e LSI-së Blerina Kazaferi. Nënkryetarja e LSI-së së Tiranës tha se “Edi Rama nuk duhet të vazhdojë turin e gënjeshtrave elektorale, por të shohë realitetin e mungesës së punës nga ana e baskisë. Tiranës nuk i duhen tavane, pemë apo asfalte elektorale, por i duhet një njeri i dedikuar që të punojë për të”.
Sipas Kazaferit, Tiranës i duhet plani i LSI-së, për të hapur më shumë shkolla të reja, për të punësuar më shumë mësues të rinj për të rritur sigurinë e fëmijëve nëpër shkolla.
Ajo i bëri thirrje shefit të bashkisë së Tiranës dhe atij të selisë rozë se duhet të vinte për të parë me sytë e tij realitetin e mungesës së punës nga ana e baskisë.
Në shkollën 9-vjeçare “Dora d’ Istria” do të restaurohet vetëm tavani i palestrës, ndërsa më pas do të inspektohen të gjitha klasat për të dhënë ose jo, garancinë për të zhvilluar mësimin në këto ambiente.
Në këtë shkollë mësojnë çdo ditë rreth 907 nxënës.
mit/NOA