Fushë-Krujë, 11 prill 2011, NOA – Me sloganin besim në Zot, familje, pronë, komb, Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka vijuar fushatën elektorale të partisë së tij në Fushë-Krujë duke prezantuar kandidatin e “Aleancës për qytetarin” për bashkinë e Fushë-Krujës, Bilal Stafukën.
“8 Maji është data për të votuar për të ardhmen tonë, për të vijuar ndryshimin e suksesshëm, për Fushë-Krujën që duam, për atdheun që duam. Këtë ndryshim e kërkojmë edhe këtu në qytetin tonë, pasi qeverisja lokale dihet se është qeverisja pranë njerëzve”, deklaroi para simpatizantëve krutanë, kreu i PR-së.
Ai kërkoi votën e banorëve të Fushë-Krujës pasi sipas tij kjo mazhorancë ka treguar se objektivat i kthen në rezultate konkrete në të mirë të çdo qytetari shqiptar.
Në këtë kontekst ai përmendi anëtarësimin në NATO dhe heqjen e vizave për shqiptarët në hapësirën Shengen.
“Sot kërkojmë që çdo qytetar i Fushë-Krujës, çdo shqiptar të përfaqësohet denjësisht, qoftë edhe në fshatin më të thellë, edhe në shtëpinë më të largët”, tha Mediu.
Ai theksoi se “Alternativa dhe zgjedhja jonë e përbashkët është para së gjithash një qytetar i Fushë Krujës, i cili kemi bindjen e plotë se me vizionin e tij do të qeverisë në mënyrë të përgjegjshme, do të dijë t’i përgjigjet kërkesave dhe nevojave tona me realizime të projekteve të mëdha”, tha Mediu duke prezantuar kandidati e “Aleancës për Qytetarin” për qytetin e Fushë Krujës, Bilal Stafukën.
mit/NOA