English

Parashikimi i motit për nesër, 12 prill 2011

Tiranë, 11 prill, NOA - Dita e nesërme do të nisë me mot të kthjellët në të gjithë territorin shqiptar, por duke ju afruar orëve të mesditës do të ketë kalime vranësirash nëpër të gjithë vendin. Me të theksuara vranësirat do të jenë në zonat malore.

Sipas MeteoAlb, pjesa e dytë e ditës do të vijojë me alternime të kthjellimeve dhe vranësirave në pjesën më të madhe të vendit, përjashtuar zonat malore, të cilat do të jenë me vranësira të dendura.

Në mbrëmje dhe gjatë natës parashikohet të ketë shtim të vranësirave në veri - verilindje të vendit, të cilat do të gjenerojnë shira të dobët dhe afat-shkurtër.

Temperaturat e ajrit do të qëndrojnë konstante, në vlerat e mëngjesit, por mesdita do të sjellë një rënie të lehtë të temperaturave në të gjithë vendin.

Era do të fryje e lehtë në tokë dhe mesatare në det, me shpejtësi 30 km/h dhe drejtim veriperëndimor. Dallgëzimi në Adriatik dhe në Jon do të jetë 2 ballë.

Europa

Nesër, Europa veriperendimore do të rrezikohet nga reshje të dendura shiu e dëbore. Problematike do të paraqitet situata në Norvegji, pasi reshjet e dendura të dëborës do të shoqërohen me rënie të temperaturave në të dy vlerat minimale dhe maksimale.

Po ashtu, vranësira dhe reshje shiu e dëbore do të ketë dhe në një pjesë të Europës Qendrore, por reshjet do të bien me intensitet të ulët.

Në kushte të paqëndushme atmosferike do të jetë edhe Ballkani Verior, pasi vranësirat do të marrin karakter zhvillimi në pjesën e dytë të ditës, duke bërë që reshjet e shiut të përfshijnë këto vende.

Ndërsa Europa Jugperendimore, Rajoni i Mesdheut dhe Ballkani Juglindor do të mbeten me kushte të qëndrueshme atmosferike, ku moti i kthjellët do të jetë dominues.

Ngjarje ekstreme në Europë: Norvegjia do të rrezikohet nga dëbora e dendur. Gjermania do të rrezikohet për reshje shiu dhe stuhi ere, ndërsa Ballkani Verior alarmon për erë të fortë dhe rrebesh shiu.

a.k/NOA

KOMENTE