Rrogozhinë, 11 prill, NOA - Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet prezantoi kandidatin e saj për kryetar të bashkisë së Rrogozhinës, Ndriçim Dushku. Prezantimi i kandidati u bë nga kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Ai deklaroi se ka ardhur momenti që të ndryshohet pamja e këtij qyteti, duke përkrahur projektin “Unë e dua Rrogozhinën” të kandidatit Ndriçim Dushku. Idrizi theksoi nevojën për ndryshime rrënjësore në menaxhimin e qytetit dhe siguroi se kandidati Dushku do të arrijë realizimin e këtyre ndryshimeve. “Ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë që të votojnë Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe kandidatin e koalicionit ‘Aleanca për Qytetarin’, z. Ndriçim Dushku, bashkëqytetarin tuaj, një familjar të ndershëm, një menaxher të suksesshëm. Është kënaqësi që të kemi së bashku këtu, Ndriçim Dushkun, qytetarin e parë të Rrogozhinës,
kryebashkiakun e ardhshëm të qytetit që me projektin e tij do të sjellë ndryshimin e Rrogozhinës. Unë ju garantojë që me zgjedhjen e Ndriçim Dushkut, Rrogozhina do të ketë një deputet tjetër në parlament, unë do të jem deputeti i Rrogozhinës dhe do të lobojë për zhvillimin e këtij qyteti” , tha Idrizi.
PDIU kandidon në zgjedhjet lokale në 98 për qind të vendit për këshilltarë bashkiak dhe komunalë dhe në 5 bashki, 1 njësi bashkiake dhe 6 komuna për kryetar të njësive të pushtetit vendor.
a.k.NOA