Tiranë, 11 prill, NOA - Në vijim të qëndrimit të djeshëm lidhur me incidentet e ndodhura në Kashar dhe Bathore në kuadrin e fushatës elektorale, Policia e Tiranës ka komunikuar sot të dhëna të reja rreth tyre.
Kështu, bëhet me dije publikisht se për ngjarjen në Kashar, mbrëmë rreth orës 23.00’ është bërë arrestimi i personave Luan Sulaj, 32 vjeç dhe Viktor Sulaj, 27 vjeç; me banim në Kashar të Tiranës.
Ndërkohë, që janë shpallur në kërkim policor personat me emrat përkatës: Alfred Sula, Ismail Sula, Ramazan Sula dhe Ndriçim Lleshi.
Sipas policisë, arrestimi i dy të lartpërmendurve u krye sepse dyshohet se në Kashar për motive të dobëta, kanë kanosur me armë dhe goditur me sende të forta vëllezërit Fatjon
dhe Genci Kamberi, përkatësisht 26 dhe 33 vjeç; që të dy banues në Kashar.
Materialet procedurale në ngarkim të tyre iu kaluan për ndjekje të mëtejshme prokurorisë Tiranës, për veprën penale “Kanosjes”, “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Prodhimit
dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 84, 89 dhe 278/2
të Kodit Penal.
Ndërsa lidhur me ngjarjen e djeshme në Bathore, është bërë Krenar Bajas, 21 vjeç, me banim në Bathore Tiranë.
Arrestimi i tij u krye në orën 24.00’ sepse pas një konflikti midis simpatizantëve të dy subjekteve politike, ky person dyshohet të jetë autor i dëmtimit të dy automjeteve tip Volzvagen Bora dhe Golf, në pronësi të personave Elvis Vladi, 20 vjeç dhe Ardian Ali, 26 vjeç, banues në Tapizë.
Materialet proceduriale, në ngarkim të të arrestuarit Krenar Baja, do t’i kalojnë prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “Shkatërrimit të pronës”, parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal.
n.e/NOA