English

Prekja e votës do të sjellë dëbimin e qeverisë

“Ne e dimë mirë në çfarë zgjedhjesh të rrezikuara po hyjmë, por dhe Saliu me Ilirin dhe me tërë këta shërbëtor mendje shpurur e rrugë humbur duhet ta mësojnë përditë edhe sot nga Elbasani se çfarë rrezikojnë në rast se do të prekin një votë në 8 maj. Jo më një lëvizje qytetare për hapjen e kutive, por një lëvizje të re demokratike që do ta udhëheqim pa ngurim, duke i bërë thirrje popullit hapur, qartë, troç që ta dëbojë qeverinë përmes protestës së pandalur, siç do bëhen regjimet që ndalojnë demokracinë të bëjnë punën e saj”....

Nga Edi Rama*

Rruga jonë është rruga e njerzillëkut, e qytetarisë, e shqetësimit për të nxjerrë në dritë punë të bukura. Rruga e tyre çon në fashizëm, në dhunë e në frikë, në regres shoqëror e rrënim ekonomik. Rruga jonë çon në europianizëm, në liri e në punë, në modernizim shoqëror dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Rruga e tyre nuk ka të ardhme për qytetarët, por vetëm korsi interesash për pushtetarët. Në korsitë e rrugës sonë bëhet çdo ditë garë për të shkuar më larg, duke ecur më shpejtë, jo duke penguar të tjerët që të ecin. Sepse ata i bashkon kusaria që futi në një shtrat Saliun me Durimin. Ne na bashkon qytetaria që na ka sjellë në këtë rrugë ju, mua dhe Qazimin.

Ne jemi e vetmja rrugë që askush, asnjë shqiptar që është i rregullt me ligjin të mos i friket qeverisë për shkak të mendimeve të tij, të sjelljes së tij, të zgjedhjes së tij. E vetmja rrugë që asnjë nëpunës të mos humbasë vendin e punës si pasojë e bindjeve të tij. E vetmja rrugë që asnjë mësues të mos detyrohet të shkojë në mitingjet e qeverisë kundër dëshirës së tij. E vetmja rrugë që asnjë sipërmarrës të mos kërcënohet me gjoba mafioze për shkak të paanësisë apo pavarësisë së tij. E vetmja rrugë që asnjë derë e shtetit të mos i mbyllet në fytyrë një qytetari të këtij vendi, që pavarësisht si quhet, pavarësisht nga vjen, pavarësisht ku beson, pavarësisht për kë voton ka të drejtën e shërbimit dhe të zgjidhjes së hallit të tij si qytetarë i barabartë i Republikës së Shqipërisë, nën flamurin kuq e zi. Rruga jonë është e vetmja rrugë që asnjë policë të mos vihet nën urdhra të paligjshëm për bukën e gojës së familjes së tij.

E dëgjuat sot dëshminë rrëqethëse të drejtorit të forcave speciale. E urdhëron zëvendësi i Lulit, në fakt e urdhëron Saliu, që të nxjerrë forcat speciale nga kazerma për të shtypur socialistët, në Kamëz dhe në Bathore. Unë jam i mbresuar nga reagimi i atij burri. E përshëndes për shuplakën publike që i dha pushtetit të Saliut dhe u them të gjithë drejtuesve të policisë të marrin shembull nga shembulli i tij, ti shërbejnë shtetit dhe ligjit dhe të mos përzihen në punët e pista të pushtetit që po bie. Ja them këtë sot nga kjo tribunë një sërë drejtuesish të policisë, që përditë e më shumë po japin shenjën se kanë hyrë në një rrugë të gabuar. Kthehuni nga ajo rrugë! E vetmja rrugë është rruga e shërbimit ndaj shtetit dhe zbatimit të ligjit. Beteja elektorale nuk është beteja e policisë, është beteja e qytetarisë. I kërkoj prokurorisë të reagojë menjëherë për këtë skandal që është në vazhdën e rrugës kriminale, ku drejtimi politik i Ministrisë së Brendshme po e përdorin policinë për llogari të pushtetit, sidomos pas 21 janarit. Kjo e sotmja tregon edhe njëherë tjetër se Saliu, Luli dhe i gjithë drejtimi politik që e ka trysnuar policinë e shtetit është përgjegjës i drejtpërdrejtë për 21 janarin dhe për çdo gjë tjetër që ka të bëjë me shkeljen e ligjit dhe të Kushtetutës, për individ të veshur me uniformën e policisë. Fatkeqësisht kjo është dhe arsyeja pse Saliu nuk mund ta shkarkojë menjëherë atë zëvendës ministër që sillet me pushtetin sikur jemi në vitin 1996, sepse është Saliu që ka kërkuar shtypjen e socialistëve në Bathore me dhunën e pushtetit. Por duhet ta harrojë se në këto zgjedhje do të marrë me forcën e dhunës së pushtetit, apo të parasë së pistë që gjeneron ky pushtet, ndonjë gjë që nuk i takon. Jo Elbasanin e Tiranën që s’ka asnjë shans të fitojë po dhe për Bathoren po arriti ta fitojë këtë herë, do ta fitojë vetëm me vota. Jo me kusar votash dhe as me rrugeçë zyrash që s’dallojnë dot rrugaçërinë me policinë.

Ne e dijmë mirë në çfarë zgjedhjesh të rrezikuara po hyjmë, por dhe Saliu me Ilirin dhe me tërë këta shërbëtor mendje shpurur e rrugë humbur duhet ta mësojnë përditë edhe sot nga Elbasani se çfarë rrezikojnë në rast se do të prekin një votë në 8 maj. Jo më një lëvizje qytetare për hapjen e kutive, por një lëvizje të re demokratike që do ta udhëheqim pa ngurim, duke i bërë thirrje popullit hapur, qartë, troç që ta dëbojë qeverinë përmes protestës së pandalur, siç do bëhen regjimet që ndalojnë demokracinë të bëjnë punën e saj.

Dy vjet më parë votat u vodhën dhe Shqipëria ra në rrokullimën ku vazhdon të rrëshqas e sot e kësaj dite. Vjedhja e votës, është hyrja në rrugën qorre të një krimi që e bëjnë çdo ditë pushtetarët dhe e paguajnë përditë e më tepër qytetarët. Tek vjedhja e votës fillon braktisja e hapur e interesave kombëtare, shkelja e vazhdueshme e interesave publike. Dhunimi i pandalshëm i interesave të njerëzve që humbasin fuqinë që ta shkarkojnë qeverinë me votë. Një qeveri që ta merr votën edhe kur ti nuk ja jep, të merr pastaj edhe lekët, shpirtin madje edhe jetën sepse dinjitetin ta ka marrë qysh se të ka marrë votën. Nuk i duhesh, nuk i vlen, nuk i hyn më në asnjë llogari qeverisë që të vjedh votën. Ja pse vota është një fuqi magjike, pa të cilën magjia e demokracisë i lë vendin një degjenerimi të përditshëm të qeverisjes. Një degjenerimi të institucioneve, një degjenerimi të konkurrencës në treg, një degjenerimi të gjithë hapësirave të lirisë, tamam kështu siç ndodh sot në Shqipërinë e vjedhur në votën e saj. Në Shqipërinë e vjedhur në të drejtën e saj për të vendosur me votë. Në Shqipërinë e vjedhur në mundësinë e saj për ta vënë qeverinë në shërbim të qytetarëve dhe jo për të vënë popullin në varësi të qeverisë. Është kjo e keqja që e gjen një popull që vidhet në votën e tij dhe ndalohet në fuqinë për ta ndëshkuar me votë qeverinë e tij.

Vetëm vota popullore e mbrojtur sy për sy e dhëmbë për dhëmbë, si vullnet sovran për ti thënë kurrë më këtij pushteti të vjedhur, do ta këpusë zinxhirin e të këqijave në 8 maj. Vota e 8 majit është mundësia e secilit që të marrë hakun që i takon, duke i thënë Saliut, Kurrë Më.

Është koha të shkojmë më tej, jo vetëm të bëjmë më shumë për Elbasanin por edhe të çlirojmë plagët e demokracisë, drejtësisë, ekonomisë, njësoj siç po shërojmë plagët Saliu i hapi Elbasanit dhe çdo qyteti të Shqipërisë. E vetmja rrugë është Aleanca për të Ardhmen. Për çdo njeri e familje të zakonshme të këtij vendi që do një cek për beben e porsalindur. Për nënën shtatzënë dhe pas shtatzënisë. Një abetare falas për fëmijën, libra e fletore shkolle të standardeve evropiane, pa taksën e kusarisë. Një shkollë demokratike dhe europiane, një universitet evropian prej vërteti që nuk prodhon diploma pa vlerë të lekëve që ja thith si piramidë prindërve që sakrifikojnë për të shkolluar fëmijët e tyre. Një punë për të jetuar denjësisht. Një faturë dritash, uji, ilaçesh pa hile dhe pa peshë të papërballueshme për ekonominë familjare. Një sistem taksash të drejtë, ku ata që kanë më pak të paguajnë më pak dhe ku ata që kanë më shumë të paguajnë më shumë. Një shërbim shëndetësor dhe të sigurt. Një shtëpi me hipotekë, a me qera lehtësuese në qytet ku të ardhurat e ulta nuk e mundësojnë strehimin normal. Një krah të fuqishëm të shtetit në fshatë, ku toka sot nuk kthen dot më as shpenzimet për naftë. Një qeveri që punon me drejtësi, me përkushtim, dinjitet dhe siguri në punë, në rrugë dhe në jetë. E vetmja rrugë për ti bërë realitet këto kërkesa elementare dhe njerëzore të mohuara sot e gjithë ditën në mes të europës, për shumicën e shqiptarëve jemi ne, është PS, është Aleanca për të Ardhmen.

*Pjesë nga fjalimi i kreut të PS, gjatë prezantimit të kandidatëve për njësitë vendore në Elbasan.

KOMENTE