English

Rama te tregu çam: Tirana një kryeqendër e re në rajon

Tiranë, 11 prill 2011, NOA - Kreu i bashkisë së Tiranës, Edi Rama në vijim të fushatës elektorale ishte sot mes tregtarëve në njësinë nr.10, që njihet si tregun çam në kryeqytet. Në takimet me tregtarë të kësaj rruge tregtare Edi Rama ata e kanë uruar kryebashkiakun Rama për fitoren bindëse në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë.

“Jam 90 vjeçe, kam parë shumë qeveri. I pari kryetar bashkie je ti, që ke punuar kaq bukur sa s’ka ku të vejë më”, i tha një e moshuar Ramës.

Një tregtar tjetër u ankua për rënien e fuqisë blerëse duke e siguruar kryebashkiakun se i bënte thirrje të gjithëve të mbrojnë demokracinë me votën e tyre në 8 maj.

Në këtë rrugëtim elektoral në tregun çam në kryeqytet Rama i është përgjigjur edhe interesimit të mediave duke deklaruar se “ Saliu dhe Iliri nuk kanë votë për të marrë në Tiranë, por kanë llogari për të dhënë për keqqeverisjen, për faturat e papërballueshme, për çmimet e pandalshme. Ndërkohë që ka një shifër që i tregon që të gjitha”.

Rama theksoi se sot një familje e zakonshme kryeqytetase paguan 5500 lekë të vjetra në muaj për gjithë çfarë bëhet për të mirëmbajtur qytetin, për të ndërtuar qytetin.

“Gjithë këto pemë që sot janë kthyer në kurora në rrugët e qytetit, gjithë pastrimi i qytetit ndriçimi, shkollat, rrugët janë kontributet e një familje të përmbledhura në 5500 lekë të vjetra në muaj. Ndërkohë që çdo familje paguan 50 herë më shumë si detyrime ndaj qeverisë. Dhe vetëm lekët që qeveria i merr një familje të zakonshme tek TVSH-ja e bukës në muaj janë më shumë sesa kontributi për gjithë punët e qytetit”, nënvizoi kryebashkiaku i Tiranës.

Ai u bëri me dije banorëve se kjo e vërtetë mjafton për të shpjeguar se kush jua ka futur dorën në xhep shqiptarëve dhe kush i varfëron dhe ul fuqinë e tyre blerëse përballë një tregu të kapur nga monopolet, të cilin ai e cilësoi si një kusari që thith përditë palcën e ekonomisë shqiptare.

Duke iu referuar premtimeve të kandidatit Lulzim Basha, kreu i Bashkisë së Tiranës tha se “të tjerat pastaj janë propagandë boshe që nga një vesh iu hyn, nga një vesh iu del qytetarëve të Tiranës që e kanë gjetur rrugën e tyre”.

“E shohin këtë rrugë te qyteti që ripërtërihet përditë dhe që bashkë me ne dhe me fuqinë e imagjinatës dhe të ambicies sonë të përbashkët do ta çojmë në nivele evropiane. Do e bëjmë Tiranën jo vetëm kryeqytetin e denjë të Shqipërisë siç është sot, por edhe një kryeqendër të re në rajon”, siguroi Rama në takimin e sotëm elektoral në Tiranë.

mit/NOA

KOMENTE