Tiranë, 11 prill, NOA - Shtabit i Luftës Kundër Kultivimit të Bimëve Narkotike në Qarkun e Tiranës është mbledhur sot në ambientet e Drejtorisë së Policisë, ku u përcaktuan hapat lidhur me zbatimin e Planit të Veprimit Nr.624/2, datë 11.03.2011 të miratuar nga Ministri i Brendshëm “Për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve”.
Në këtë takim morën pjesë, Prefekti i Qarkut Tiranë, Kryetarë të Organeve të Qeverisjes vendore, Drejtues të Policisë së Tiranës, si dhe përfaqësues të Programit “ICITAP” të cilët asistojnë Policinë e Shtetit.
Drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Saimir Muçaj, theksoj se, gjatë vitit 2011, Policia e Tiranës do të marrë të gjitha masat për organizimin e shërbimeve policore në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve.
Shtabi i Luftës Kundër Kultivimit të Bimëve Narkotike në Qarkun e Tiranës, do të zhvillojë analiza të herëpashershme, ku do të bëhet vlerësimi i informacioneve, evidentimi i problemeve dhe do të merren masa për eleminimin e tyre.
Sipas Drejtorit të Policisë së Tiranës, në aktivitetet parandaluese do të përfshihet njohja dhe vendosja e pikave të bashkëpunimit mes policisë dhe organeve të qeverisjes vendore të angazhuar në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, si dhe do të zhvillohen aktivitete sensibilizuese për publikun.
“Në aktivitetet operacionale janë parashikuar, masat për organizimin e operacioneve policore për parandalimin, identifikimin dhe asgjësimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të tyre”, ka thënë Muçaj.
Në takim u vendos që strukturat e hetimit dhe parandalimit te krimeve do të aktivizohen të gjitha burimet e informacionit, me qëllim mbledhjen e informacioneve për njohjen e gjendjes së kultivimit të bimëve narkotike në Qarkun e Tiranës, informacione të cilat do të vlerësohen maksimalisht nga ana e këtyre strukturave.
Gjatë fjalës së tij, Prefekti i Qarkut Tiranë, Zoti Keltis Kruja theksoi, se Lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike nuk është një angazhim vetëm i strukturave të policisë, por edhe i organeve të tjera, si ato të qeverisjes vendore, dhe më gjerë, është një luftë që kërkon angazhimin e shume aktoreve dhe vetë qytetarëve në të.
“Edhe pse Qarku i Tiranës nuk evidentohet si problematik në kultivimin e bimëve narkotike, nga ana e jonë përgjatë muajve Prill-Maj 2011 do të organizohen takime pune midis përfaqësuesve të qeverisjes vendore të të gjitha niveleve dhe drejtuesve të Policisë së Qarkut e Komisariateve të Policisë, si dhe takime të këtyre të fundit, duke përdorur mediat e shkruara dhe vizive për të ftuar në bashkëpunim të gjithë organet e administratës shtetërore, aresimit, shëndetësisë, sektorët privat etj, me qëllim që të gjithë të bëhen pjesë e luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike”, tha Kruaja.
Prefekti vlerësoi kontributet e Policisë së Kryeqytetit lidhur me luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike, dhe veçanërisht rezultatet e arritura gjatë kësaj periudhe të këtij viti, ku evidentohet një numër më i madh i goditjeve të kryera, autorëve të proçeduar penalisht dhe sasisë së sekuestruar të lëndës narkotike “Cannabis Sattiva”.
NOA