Prishtinë, 11 prill, NOA – Albin Kurti duhet të mësohet të sillet si lider dhe të transformohet nga prijësi i Vetëvendosjes, në kryetarin e komisionit për Politikë të Jashtme.
Kjo ka qenë fraza me të cilën, zv/kryeministrja kosovare Edita Tahiri, i është kundërpërgjigjur Albin Kurtit, pasi ky i fundit i kërkoi publikisht që të tërhiqet nga bisedimet me Serbinë.
Më tej, Tahiri i ka kërkuar Kurtit të bëhet pjesë e bisedimeve nëse dëshiron të jetë i informuar për çdo gjë, por nuk ka pranuar kërkesën e tij për bërjen publike të transkripteve të bisedimeve.
“Nuk mund të bëhen publike të gjitha transkriptet, sepse është çështje e rregulluar ndërmjet delegacioneve të të dyja shteteve”, ka thënë Tahiri, lidhur me një fakt të tillë.
Javën e kaluar, komisionii për Politikë të Jashtme që udhëhiqet nga Albin Kurti, i kërkoi llogari deri më një Tahirit për bisedimet me Beogradin zyrtar.
Kurti deklaroi se këto bisedime duhet të ndërpriten, pasi në këtë formë vendi fiton më shumë.
“Zëvendës-kryeministrja Tahiri e pranoi që ka afrim të qëndrimeve me Serbinë sa i përket çështjes së regjistrave civilë, pra librave të amzës, dhe energjisë, por jo edhe telekomunikacionit. Ajo tha që i ka kërkuar origjinalet e regjistrave të gjendjes civile por gjithashtu e konfirmoi gatishmërinë e saj që t’i marrë edhe kopjet e këtyre regjistrave. Pra, ky është kompromisi i parë që rrezikon të bëhet marrëveshje dhe të nënshkruhet në raundin e ardhshëm të bisedimeve. Mirëpo, zëvendës-kryeministrja Tahiri nuk ka qejf që t’i përdor fjalët ‘koncesion’ e ‘kompromis’. Ajo preferon për të njëjtin kuptim shprehjet ‘sjellje konstruktive’ dhe ‘zgjidhje kreative”, u shpreh Kurti.
n.e/NOA