English

Abrial takime me Imamin e Malaj: Kontributi i paqeruajtësve, i çmuar për NATO-n

Tiranë, 12 prill 2011, NOA- Gjatë ditës së sotme ka mbërritur në Shqipëri komandanti i Komandës së Aleancës për Transformim, Norfolk, Virginia, gjeneral Stephane Abrial.

Gjeneral Abrial, i shoqëruar nga një delegacion prej 5 personash vjen në Tiranë me ftesë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral major Maksim Malaj, për një qëndrim 2-ditor në vendin tonë.

Qëllimi i këtij takimi është njohja nga afër i zhvillimeve të kryera dhe objektivave të realizuara nga Forcat e Armatosura, pas anëtarësimit të vendit tonë në NATO.

Abrial u prit nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral major Maksim Malaj, ndërsa dy zyrtarët e lartë diskutuan më pas mbi situatën aktuale ku ndodhen sot Forcat e Armatosura.

Gjatë takimit, gjenerali Abrial, ka shprehur konsideratën e tij më të lartë për Forcat e Armatosura shqiptare, sidomos për trupat tona paqeruajtëse që shërbejnë sot në Afganistan, duke thënë se kontributi i tyre është mjaft i çmuar për NATO-n.

Nga ana e tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Malaj, ka falënderuar NATO-n dhe të gjitha vendet që bëjnë pjesë në të, për mbështetjen dhe kontributin që japin për integrimin e Forcave të Armatosura në strukturën e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Më vonë Abrial, është pritur edhe nga Ministri i Mbrojtjes Arben Imami i cili, vlerësoi maksimalisht të gjithë kontributin që NATO jep sot për vendin tonë.

Ministri Imami e garantoi gjeneralin Abrial, se FA do të vazhdojnë të përmbushin me përpikmëri të gjitha detyrat që dalin në drejtim të paqes kudo në botë.

Gjeneral Stephane Abrial, duke shprehur konsideratat e tij më të larta për ecurinë dhe transformimet që ka pësuar FA në një kohë mjaft të shkurtër, si dhe duke e përgëzuar ministrin Imami për realizimin me sukses të objektivave kryesore, tha se të gjitha vendet e NATO-s, janë krenar që edhe Shqipëria është pjesë e kësaj aleance të madhe.

a.y/NOA

KOMENTE