Gjirokastër, 12 prill, NOA – Policia Rrugore e Gjirokastrës identifikon dhe ndalon autorin e aksidentit me pasojë vdekjen e një personi, i ndodhur në datën 18 mars.
Siç konfirmohet prej saj për agjencinë e Lajmeve NOA, i ndaluari është 48-vjeçari Sotir Beka, lindur dhe banues në Sarandë.
Kapja dhe ndalimi i tij është bërë për arsye se në 18 mars, në aksin rrugor Gjirokastër- Sarandë, në vendin e quajtur “Varrezat e Qytetit”, rreth orës 19.00, në anë të rrugës nacionale është gjetur pa jetë Agathokli Çajupi, nga Zagoria e Gjirokastrës.
Nga veprimet e para hetimore të kryera nga grupi hetimor rezultoi se ai kishte gjetur vdekjen si pasojë e përplasjes nga një automjet, i cili është larguar menjëherë nga vendngjarja.
E pas 25 ditësh hetimesh intensive, forcat e Policisë Rrugore, kanë bërë të mundur që të dokumentojnë me prova ligjore dhe më pas të ndalojnë të lartpërmendurin, i cili me automjetin tip Volksëagen me targa AA 963 AE, të markës Caddy TDI Minivan, dyshohet se e ka përplasur Agathokli Çajupin, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Për zbardhjen dhe dokumentimin e kësaj ngjarje, policët rrugorë kanë bërë verifikime në disa distributorë të kompanisë në Shqipëri që merret me shitjen e këtyre automjeteve me qëllim evidentimin e të gjithë shtetasve që kishin blerë automjet të tillë gjatë vitit 2011.
E nga verifikimet e bëra rezultoi se gjatë vitit 2011 nga kjo kompani ishin shitur rreth 30 automjete të tilla, ku rrethi i automjeteve të dyshuara u ul nga 30 automjete në 5 automjete të dyshuara.
Në përfundim të veprimeve hetimore, rezultoi se Sotir Beka e kishte blerë automjetin nga kjo kompani dhe me këtë automjet kishte shkaktuar edhe aksidentin me vdekje në fjalë.
Nga ana e Policisë Rrugore është bërë sekuestrimi i automjetit në cilësinë e provës materiale, të cilin i lartpërmenduri e kishte riparuar duke i ndërruar të gjitha pjesët e dëmtuara nga aksidenti.
Materialet i kaluan prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.
n.e/NOA