Tiranë, 12 prill 2011, NOA- Në kuadër të fillimit të semestrit të dytë për nxënësit, kompania telefonike AMC, ka menduar të ofrojë më shumë mundësi për nxënësit.
Ky semestër erdhi me më shumë libra për fëmijët e shkollës nëntë vjeçare “Ahmet Gashi” në Laprakë.
Tashmë mund të thuhet se biblioteka e shkollës është plotësisht funksionale për nxënësit dhe mësuesit.
AMC tregoi vëmendje ndaj mungesës së një biblioteke të mirëfilltë në shkollë dhe dhuroi rreth 400 libra. Titujt janë pjesë e literaturës që plotëson procesin mësimor dhe janë të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës si të përshtatshme për këto grupmosha.
Përfaqësuesi i AMC, zoti Nikos Parastatidis, Menaxher i Çështjeve të Korporatës, vizitoi ambientet e shkollës dhe tha se “Edukimi i brezave të rinj vlerësohet nga ana e AMC si shumë i rëndësishëm. Për këtë arsye AMC ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë përmirësimin e kushteve të arsimit në vend. Ne jemi të lumtur që mund të ndihmojmë në procesin arsimor të nxënësve të kësaj shkolle jo vetëm sepse e kemi shumë pranë zyrave tona por edhe sepse korrespondon me ditën ndërkombëtare të librit për fëmije. Vëmendja e AMC për këtë shkollë do të vazhdojë edhe në të ardhmen duke u ardhur në ndihmë nxënësve që frekuentojnë këtë shkollë, duke u ofruar më shumë mundësi atyre”.
1000 nxënësit dhe mësuesit e shkollës “Ahmet Gashi”, falenderuan AMC për bujarinë e treguar, pasi biblioteka e tyre tashmë është nga më të pasurat dhe ata kanë më shumë mundësi zgjedhjeje për leximet.
AMC e shikon botën me sytë e tyre, plot mundësi!
a.y/NOA