English

Arvizu: Qeveria të bëjë gjithçka mundet që zgjedhjet të jenë transparente

Elbasan, 12 prill 2011, NOA Update – Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu i ka bërë thirrje qeverisë nga qyteti i Elbasanit të bëjë gjithçka që mundet që zgjedhjet vendore të 8 majit të jenë trasparente dhe të barabarta për të gjithë. “Shpesh njerëzit më pyesin: Kujt i shkon mesazhi juaj? Përgjigja është për të gjithë. Qeveria duhet të bëjë çdo gjë që të jetë e mundur që zgjedhjet të jenë transparente dhe fusha e lojës të jetë e barabartë për të gjithë”, deklaroi ambasadori amerikan nga qyteti i Elbasanit ku ndodhej për t’u njohur me planin strategjik 10-vjeçar të zhvillimit të qytetit.

Në këtë prizëm ambasadori Arvizu i kërkoi edhe KQZ-së që të luajë rolin e saj në zbatim të ligjit.

“Dhe sigurisht KQZ duhet të bëjë punën e vet, ashtu si PD, PS dhe partitë e vogla duhet të zbatojnë rregullat dhe të mendojnë për votuesit, jo vetëm për të fituar”, këshilloi ambasadori amerikan.

Arvizu i bëri thirrje forcave të mëdha politike që të ruajnë qetësinë gjatë fushatës elektorale dhe të tregojnë maturi, ndërkohë që shprehu shqetësimin për incidentet e ditëve të fundit që po cënojnë qetësinë e fushatës elektorale.

“Personalisht dua të them se jam i shqetësuar për incidentet që ndodhin për shkak të zgjedhjeve. Shqetësimi im është për qetësi gjatë fushatës qofshin këto komisionet elektorale, Partia Demokratike, Partia Socialiste. Ne e kuptojmë që politika do që të fitojë dhe kjo është esenca e politikës”, tha Arvizu.

Në këtë kontekst Arvizu u bëri apel edhe kandidatëve për bashkitë dhe komunat e vendit që të vënë në qendër të objektivave të tyre qytetarin.

“Pika më esenciale për Shqipërinë është jo vetëm kush do të fitojë, por si do të fitojë, se sa i qetë do të jetë ky proces. Dëshira ime është që të gjithë ata që kandidojnë të mos mendonin më shumë për fitoren sesa për njerëzit nga të cilët ata do të zgjidhen”, argumentoi ambasadori i SHBA-ve.

Ambasadori Arvizu apeloi që palët të bëjnë përpjekje dhe të angazhohen për zhvillimin e zgjedhjeve të lira vendore në 8 maj.

“Kam dëgjuar njerëz që thonë se këto zgjedhje janë politike e disa të tjerë thonë se janë administrative. Personalisht nuk e kuptoj se cili është ndryshimi midis të dyjave. Por, ajo që është më e rëndësishme është që këto zgjedhje nuk duhet t’u shkaktojnë njerëzve ankth, keqardhje dhe dëshpërim. Supozohet t’i japin njerëzve shpresë për të ardhmen”, tha ai.

Ai tha gjithashtu se forcat politike duhet të shikojnë mënyrën sesi të ndihmojnë njerëzit.

“Jo gjithçka për fitoren. Partitë duhet të dinë edhe si të humbasin. Edhe humbja dërgon një mesazh të mirë për njerëzit”, nënvizoi ambasadori Arvizu.

Ambasadori Amerikan Aleksandër Arvizu u takua edhe me kryetarin aktual të bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdinin, i cili rikandidon për këtë post në zgjedhjet vendore të 8 majit, nën siglën e “Aleancës për të ardhmen”.

Zoti Arvizu u njoh me detajet se ç’farë përmban plan i zhvillimit të Elbasanit dhe u shpreh se “ishte hera e parë që ndodhej në një vizitë zyrtare në qytetin e Elbasanit”.

Duke folur për këtë plan Arvizu tërhoqi vëmendjen se pavarësisht se cilës parti i përkasin kryetari i bashkisë apo stafi i baskisë, sipas Arvizut ata duhet të mendojnë në radhë të parë për qytetarin.

Thirrje për përmbushje të standardeve në zgjedhjet vendore të 8 majit bënë sot në Tiranë edhe përfaqësuesit e delegacionit të KiE-s që mbërriti në Tiranë për t’u njohur nga afër me situatën parazgjedhore, e cënuar edhe nga një numër incidentesh, të cilat mendohet se do të vojojnë, duke e parë në syrin e një politike të tensionur ku kandidatët e forcave politike hedhin dita ditës akuza ndaj njëra-tjetrës, duke e kthyer këtë fushatë në një fushatë politike dhe jo fushatë programesh edhe më të mira për qytetarin dhe zhvillimin e mëtejshëm të qyteteve shqiptare.

mit/NOA

KOMENTE