English

Basha: Ulja e taksave për biznesin gjeneron 10 mijë vende të reja pune

Tiranë, 12 prill 2011, NOA – Kandidati për Kryetar i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha deklaroi sot nga Kashari ku zhvilloi takime me biznesmenë të komunës se “Politikat fiskale në platformën afatshkurtër dhe afatmesme të tij do të sjellin hapjen e 10 mijë vendeve të reja të punës në kryeqytet”.

Kandidati demokrat Basha u njoh nga afër me biznesin e fasoneve, ku mësoi se ata paguajnë taksa dhe tarifa 8 herë më shumë se në komunën ngjitur të Kasharit, dhe nuk marrin shërbimet nga Bashkia, si pastrimin, gjelbërimin, transportin e infrastrukturën. Sipërmarrësit i bënë me dije Bashës se kanë një kosto shtesë prej 10 mijë eurosh në vit si rezultat i mungesës së shërbimeve të Bashkisë.

“Të bësh biznes në këto kushte, duket paradoksale kur paguajmë taksat. Megjithëse paguajmë taksat në rritje çdo vit, përsëri paguajmë vetë 80 euro në muaj për të hequr plehrat këtu”, tha njëri prej sipërmarrësve.

Kandidati Basha, i cili vizitoi një biznes në Kashar dhe një në Tiranë, konstatoi se biznesi në komunën ngjitur me Tiranën paguan 8 herë më pak taksa por përfiton shërbimet të cilat biznesi në Tiranë nuk i merr.

Ndërkohë, në një takim me sipërmarrës të kryeqytetit, Basha bëri të ditur se në platformën e tij parashikohet heqja e 60 nga 85 taksat dhe tarifat që aplikohen sot, sikundër do të ketë ulje të ndjeshme të atyre që mbeten.

“Taksa të ulëta për mua do të thotë punësim. Në platformën time të reduktimit të taksave, biznesi në Tiranë mund të gjenerojë 4 mijë vende të reja pune. Vendet e punës do t’i hapni ju dhe ndihmën do t’ua japë bashkia nëpërmjet uljes së taksave, ndërsa sot ju merrni shërbime të reduktuara nga kjo barrë fiskale. Tarifa e pastrimit do të ulet nga 5 deri në 10 herë. Do të shfuqizohet taksa e gjelbër, taksa e tabelës dhe e hapësirave publike. Barra fiskale mbi bizneset llogaritet të ulet 400 deri në 600 mijë lekë në vit. Me burimet e shtuara financiare që do të vijnë si rezultat i mirëmenaxhimit dhe aftësive të Bashkisë për huamarrje më të madhe, ne do të ngrejmë një fond special të garantimit të kredive për biznesin e vogël dhe të mesëm”, premtoi kandidati Basha.

Sipas tij fillimisht do të niset me një paketë prej 2 milionë eurosh, e cila jep mundësi deri në 20 milionë euro kredi nga bankat e niveli të dytë.

“Me këtë synojmë hapjen e 6 mijë vendeve të reja të punës. Kam shpallur prioritet hapjen e vendeve të reja të punësimit dhe do ta realizoj në partneritet me ty”, tha Basha. Në platformën e tij Kandidati për Bashkinë e Tiranës parashikon pagesën online të taksave dhe tarifave, uljen me 3 deri në 5 herë të kohës, që i duhet biznesit për t’u pajisur me leje apo liçence.

Gjithashtu parashikohet shkurtimi i hallkave dhe përmirësimit të shërbimit përmes modelit të një sporteli të vetëm.

mit/NOA

KOMENTE