English

Berat, dhunohet militanti i PS nga të afërmit e kandidatit të LSI

Berat, 12 prill 2011, NOA – Një militant i Partisë Socialiste në Berat është dhunuar fizikisht nga disa mbështetës të LSI-së, të afërm të kandidatit të kësaj partie për zgjedhjet vendore të 8 majit, Kastriot Rapaj, që garon për të marrë kreun e komunës Velabishtë. I dhunuari është Shefit Shanaj, banor i fshatit Gjeroven në rrethin e Beratit simpatizant i PS-së.

Pas dhunimit dhe mjekimit në repartin e kirurgjisë në Berat, Shanaj bëri me dije se është dhunuar fizikisht nga dy simpatizantë dhe të afërm të kandidatit të LSI-së Kastriot Rapaj.

Ai tha se u dhunua dy ditë më parë nga Shkëlzen Sulka dhe Kastriot Selca, banor të fshatit Gjeroven në komunën Velabishtë.

Militanti i PS-së tregoi se sherri kishte nisur pasi ai i kishte akuzuar dy bashkëfshatarët e tij për grisjen e flamujve të PS-së, duke bërë që dy bashkëfshatarët ta dhunojnë fizikisht atë.

Shanaj nënvizoi se ai do t’i padisë dy autorët e dhunës.

Për incidentin në fjalë reagoi edhe Kryetari i degës së Partisë Socialiste në Berat, Selman Hodaj, i cili deklaroi se simpatizanti i kësaj partie është dhunuar për shkaqe të pastra politike.

Hodaj u bëri thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI-së të heqin dorë nga këto veprime arbitrare gjatë fushatës elektorale.

Po kështu ka reaguar edhe kandidati socialist për komunën Velabishtë Krenar Hoxha, i cili gjithashtu i ka bërë apel anëtarëve dhe simpatizantëve që mos të pengojnë fushatën elektorale, duke i siguruar se çështja do të ndiqet penalisht.

mit/NOA

KOMENTE