English

Berisha: Lezha dhe Shëngjini do të njohin madhështi turistike

Lezhë, 12 prill 2011, NOA- Kreu i maxhorancës Sali Berisha në vijim të takimeve të radhës me elektoratin u ndal në qytetin Lezhës.

Nga ky qytet ai prezantoi kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Viktor Tusha, si dhe pretendentin për të parin e Shëngjinit Zef Gjoka.

“Ju së bashku me ne hartoni projektet e Lezhës, Shëngjinit dhe komunave si një vend i zhvilluar dhe si një qytet i zhvilluar. Në këto katër vite ne kemi një qëndrim madhor të shtrojmë Lezhën dhe Shqipërinë, këtë vend të zhvilluar dhe këtë qytet të zhvilluar. Së bashku ne ndajmë përpjekje të mëdha, por ndajmë dhe arritje historike për ne, fëmijët tanë dhe brezat që vijnë”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Ai tha se duke kthye kokën mbas, shikojmë me krenari në sy njeri-tjetrin, sepse tha Berisha, ne e bëmë Shqipërinë, në vend anëtar të NATO-s.

Më tej shefi i maxhorancës tha se që nga koha e Skënderbeut liria e Shqipërisë nuk ka qenë e sigurt sa sot, sepse shtoi ai, tashmë jemi një vend krenar dhe jemi të anëtarësuar në NATO.

Sipas tij një hap tjetër pozitiv është edhe lëvizja e lirë ë shqiptarëve, pasi këto reforma kanë bërë që ekonomia të jetë nga më entuziastet dhe më të mirat në Europë.

“Ekonomia shqiptare është një ekonomi në vrapim, ne qëndrojmë në krye të rritjes ekonomike në Europë, bëjmë rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve. Sot ne kemi një arsye madhore për të qenë krenar sepse, këtë vit Lezha dhe Shqipëria është shpallur e bukura e dheut, destinacioni turistik më i bukur i gjithë botës”, deklaroi ai.

Duke ju drejtuar kandidatëve ai u kërkoi atyre që të shqyrtohen dhe njëherë projektet e bulevardeve madhështore buzë detit.

Ndër të tjera Berisha tha, “Le të bëjmë gjithçka për të paraqitur Lezhën dhe Shëngjinin në madhështinë e tyre turistike”.

a.y/NOA

KOMENTE