Lezhë, 12 prill 2011, NOA- (Update) Gjatë pasdites së sotme Kryeministri Berisha nga qyteti i Lezhës, prezantoi Viktor Tushën si kandidat të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për bashkinë e këtij qyteti.
Gjatë fjalës së mbajtur para banorëve Kryeministri theksoi se, “Sot mblidhemi krenarë në këtë shesh pasi në saj të punës, mundit, sakrificave dhe reformave të shumta që janë kryer këto vitet e fundit u bë i mundur anëtarësimi në NATO, lëvizja e lirë e shqiptarëve në Europë dhe zhvillimi tepër i shpejt ekonomik i vendit”.
Ai përgëzoi kryebashkiakun Tusha për punën e bërë në krye të bashkisë së Lezhës, veçanërisht për parkun industrial që sipas tij, do të thithë shumë investime e do të punësojë qytetarë nga Lezha dhe nga mbarë Shqipëria. Duke renditur disa nga investimet më kryesore të bëra në këtë qark.
Kreu i mazhorancës u garantoi banorëve se do të ketë investime të mëtejshme në shkolla, ujësjellës si dhe premtoi për asfaltim të çdo metër rruge.
Kryeministri Berisha kërkoi nga kryebashkiaku i Lezhës dhe ai i Shëngjinit që të shqyrtojnë edhe një herë projektet e bulevardeve shekullore, njëri breg Drinit e tjetri buzë detit, në mënyrë që ato të jenë ndër veprat e para që ndërtohen pas këtyre zgjedhjeve.
Ai e cilësoi rrugën e opozitës pa projekte, por vetëm me sharje, fyerje dhe sulme personale.
Fjala e plotë e Kryeministrit Berisha:
“Të dashur qytetare dhe qytetarë të Lezhës,
Zoti zv/Kryeministër,
I dashur zoti Viktor Tusha, kryebashkiaku i sotëm dhe i ardhshëm i këtij qyteti,
I dashur zoti Zef Gjoka, kryebashkiaku i Shëngjinit,
Të dashur kandidatë për keptar të komunave të rrethit Lezhë,
Së pari një përshëndetje vëllazërore ju dhe të gjithë banorëve të këtij rrethi, kudo që janë sonte. Mirënjohje të thellë për të gjithë ju dhe për të gjithë banorët e këtij rrethi, për mbështetjen e madhe e të çmuar, për besimin e madh që kanë dëshmuar dhe dëshmojnë ndaj qeverisë sime, Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin”.
Fushatat elektorale janë momentet më të mëdha të meditimit dhe të frymëzimit të qytetarëve, të politikanëve, të banorëve, të votuesve, të të gjithë shqiptarëve. “Aleanca për Qytetarin” ka vendosur ta shndërrojë këtë fushatë në fushatën për qytetarin, fushatën në të cilën ju të jeni në epiqendër, të dashur qytetare dhe qytetarë të Lezhës, të të gjitha komunave të këtij rrethi e të mbarë Shqipërisë. Në këtë fushatë ju, së bashku me ne, hartoni projektet e Lezhës, të Shëngjinit, të komunave, të rrethit në tërësi, si një rreth dhe qytet i zhvilluar.
Në këto katër vite ne kemi një qëllim madhor, të shndërrojmë Lezhën në një qytet të zhvilluar, të shndërrojmë Shqipërinë në vend të zhvilluar. Së bashku ne ndajmë përpjekje të mëdha, ndajmë lumenj djerse, sakrificash, dhembjesh, por ndajmë edhe arritje historike për ne, fëmijët tanë dhe brezat që vijnë. Sot secili prej nesh sheh me krenari drejt e në sy njeri - tjetrin, secili prej nesh sheh drejt e në sy burrin e kombit, Skënderbeun, sepse ne jemi ata që bëmë Shqipërinë anëtare të NATO-s, e bëmë atë njëherë e përgjithmonë vend të lirë, të pacenueshëm, të paprekshëm. Që nga kohërat e Skënderbeut e deri më sot, kurrë në histori, liritë e shqiptareve dhe liria e Shqipërisë nuk kanë qenë të sigurta si sot. Me anëtarësimin në NATO ne jemi të sigurt. Me djersë, me mund e me sakrifica të ndërtojmë të ardhmen që meritojmë.
Ne sot mblidhemi në këtë shesh krenarë me njeri – tjetrin, sepse sot ne, nga vendi i rrethuar me tela me gjemba, lëvizim në mbarë Europën pa viza. Sot ne kemi arsye për tu ndjerë krenarë dhe mirënjohës ndaj njëri - tjetrit, sepse me mund, me djerse, me sakrifica e me reforma të thella ia kemi dalë të kemi një ekonomi nga më entuziastet, nga më dinamiket, nga më vibrantet në Europë. Në kohën e krizës më të madhe evropiane e botërore ekonomia shqiptare është një ekonomi në vrapim. Në kohën kur të tjerëve u bie në mënyrë të ndjeshme prodhimi, Shqipëria qëndron në krye të rritjes së prodhimit në Europë. Në kohën kur të tjerët ulën rroga e pensione, Shqipëria bën rritjen më të madhe të rrogave e pensioneve.
Sot ne kemi një arsye madhore për të qenë krenarë me punën tonë, punën e njëri – tjetrit, sepse këtë vit Lezha, Shqipëria, është shpallur e bukura e dheut, destinacioni kryesor turistik i botës. Për vendin me turizëm të ndaluar, për vendin që nuk ekzistonte në hartën e turizmit botëror, është arritje shekullore të dalë në krye si destinaconi më i mirë turistik për vitin 2011. Kjo është merita juaj, e shpirtit tuaj të madh, shpirtit mikpritës, ndryshimeve të mëdha që së bashku ia dolëm të shënojmë këto vitet e fundit. Sot ne shohim drejt e në sy me respekt të madh njëri – tjetrin, sepse këto vite kemi ndryshuar faqen e këtij vendi më shumë se çdo vend tjetër në rajon dhe më gjerë.
Sot ne kemi të drejtë të vlerësojmë njëri – tjetrin, sepse siç e tha Prof. Mark Guri reformat e arsimit kanë qenë ndër më të suksesshmet. Sot në shkollat mesme të Lezhës dhe të mbarë Shqipërisë hyjnë 91 përqind e të gjithë nxënësve që mbarojnë klasat e 9-ta. Sot në universitetet e vendit ulen 70 përqind e të gjithë maturantëve të tij. Këta dy tregues së bashku, pothuajse me zero tolerancë ndaj analfabetizmit, janë ndër më të mirë në Europë dhe në botë. Ne mburremi me ta.
Qytetare dhe qytetarë të Lezhës,
Unë kam ardhur këtu për tu zotuar para jush se me Viktor Tushën e me Zef Gjokën ne do t’i shndërrojmë këto dy qytete në qendrat kryesore turistike të vendit, do t’i shndërrojmë në një nga polet më të fuqishme të zhvillimit të vendit.
Në rrethin tuaj kemi ndërtuar gjatë këtyre viteve 300 kilometra rrugë kombëtare dhe rurale. Jam sot për t’ju dhënë fjalën se në katër vitet që vijnë, në këtë rreth, nuk do të ketë qofte edhe 1 kilometër rrugë të paasfaltuar.
Zotërinj kryetarë të ardhshëm të bashkisë së Shëngjinit dhe të Lezhës.
Kërkoj nga ju që së bashku me qytetarët të shqyrtoni edhe një herë projektet e bulevardeve shekullore, njëri breg Drinit e tjetri buzë detit, në mënyrë që të jenë ato ndër veprat e para që ndërtojmë pas këtyre zgjedhjeve.
Le të bëjmë ne gjithçka për të paraqitur Lezhën dhe Shëngjinin në madhështinë e tyre historike. Lezha është qyteti i qytetërimit tonë, është qyteti me visaret më të çmuara arkeologjike që janë zbuluar dhe do të zbulohen në të ardhmen. Ndaj dhe trajtimi i trashëgimisë kulturore në këtë qytet ka rëndësi jetike jo vetëm për ju, qytetare e qytetarë të Lezhës, por për të gjithë shqiptarët e për të gjithë Europën, për ata miliona turistë që do të vijnë në Lezhë dhe në Shqipëri.
Gjiri i Drinit do jetë gjiri i bukurisë së madhe turistike. Ne po ndërtojmë të gjithë infrastrukturën, po bëjmë planet e nevoje për zhvillimin e tij. Ju garantoj se brenda këtij mandati autostrada do t’ju bashkojë me Velipojën. Dua tu bëj thirrje kryetarëve të komunave, qytetarëve dhe fermerëve, të uleni gjatë këtij muaji e të bëni projektet e infrastrukturës së komunave tuaja, të cilat të jenë identike me lagjet e Lezhës, me lagjet e Shkodrës e të Tiranës.
Ne ju garantojmë ju dhe fëmijëve tuaj urbanizim të plotë. Por ne ju ftojmë të bëni projektet e zhvillimit të fermave tuaja. Ju garantojmë se do të subvencionojmë çdo rrënjë ulliri, çdo rrënjë arre, shege dhe çdo dru tjetër frutor që ju do të mbillni. Ne do të subvencionojmë serat. Lë të shfrytëzojmë ne potencialin e jashtëzakonshëm të tokës së këtij rrethi për të shumëfishuar prodhimet bujqësore. Gjatë këtyre viteve kemi rikonstruktuar 67 shkolla. Në vitet që do të vijnë do të rikonstruktojmë apo ndërtojmë çdo shkollë të re që nevojitet në qytetin apo rrethin e Lezhës. Ne kemi ndërtuar 24 ujësjellës, do të ndërtojmë çdo ujësjellës apo sistem kanalizimi për 24 orë ujë në të gjithë rrethin e Lezhës. Kemi mbjellë 300 hektarë pemëtari, ullinj, vreshta. Ju garantoj se qeveria qëndron e gatshme të subvencionojnë katërfishin e tyre. I ftoj të gjithë fermerët e Lezhës që me ambicie të madhe të bëjnë projektet, të aplikojnë, dhe qeveria do t’i mbështesë ata.
Zoti kryetar i bashkisë,
Ju përgëzoj për punën që keni bërë për parkun industrial dhe ju garantoj se në këtë park do të thithen investime të mëdha, në të cilat do të punësohen jo vetëm lezhjanët, por edhe qytetarët nga krahina të tjera të vendit. Ne do të mbështesim të gjitha projektet tuaja për mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit, për trajtimin e mbetjeve urbane dhe të lëngëta. Lezha në 4 vite do jetë një nga qendrat më kryesore turistike, të prodhimit, të zhvillimit, të Shqipërisë dhe rajonit.
Kjo është alternativa jonë. Kjo është alternativa juaj. Me këtë alternativë secili prej jush ka vendin e tij, ka peshën e tij, ka fjalën e tij, ka firmën e tij.
Atyre që ju servirin ju rrugën e vetme apo rrugën e etërve, ju e dini vetë se çfarë do t’u thoni. Unë nuk kam ndërmend të merrem me ta, por thjesht do t’u them se qytetarët kanë nevojë për projekte, kanë nevojë për shkolla, për rrugë, për shëtitore, për kopshte, kanë nevoja të shumta dhe të fundit për të cilat ata kanë nevojë janë sharjet, fyerjet, sulmet personalet. Ato nuk janë morali qytetar.
Le të ecim në me alternativën tonë, të shkojmë drejt 8 majit të sigurt në një fitore të thellë e të merituar. Është fitorja e gjithsecilit prej jush, e fëmijëve tuaj, e familjeve tuaja, e Lezhës, e Shëngjinit, Viktor Tushës, Zef Gjokës, komunave dhe kryetarëve të tyre.
a.y/NOA