Romë, 12 prill, NOA – Italia gjendet krejtësisht e vetme, në përballimin e situatës mjaft të rënduar nga dyndja e mijëra refugjatëve nga Afrika e Veriut drejt territorit të saj.
Kjo pasi Bashkimi Evropian, sidomos Gjermania, ka refuzuar në mënyrë të prerë që t’i japë asaj ndihmë të drejtpërdrejtë për ndihmën ndaj këtij kontingjenti që mbërrin i dëshpëruar në brigjet e saj.
Një gjë e tillë u bë mëse e qartë në takimin e ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, ku Gjermania ishte e para që u distancua nga ky problem italian.
Sipas ministrit të Brendshëm, Friedrich, Italia nuk është e mbingarkuar për shkak të rreth 23.000 refugjatëve:
"Duhet parë se ka shumë shtete, shtete anëtare në Evropë që kanë shifra krejt të tjera përsa i përket numrit të azilantëve. Mjafton të kujtosh Belgjikën e vogël, e cila ka shifra gjigante edhe në bashkimin familjar. Kështu që kudo në Evropë ne e shohim veten të përballur me barra të ndryshme. Kështu Italia nuk mund të thotë se është vendi i vetëm i mbingarkuar", tha ai.
n.e/NOA