Elbasan, 12 prill 2011, NOA – Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu i ka bërë thirrje forcave të mëdha politike nga qyteti i Elbasanit që të ruajnë qetësinë gjatë fushatës elektorale dhe të tregojnë maturi. Ambasadori Arvizu ndodhej në Elbasan për t’u njohur me planin për zhvillimin e qytetit, ku u takua edhe me kryetarin aktual të bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdinin, i cili rikandidon për këtë post në zgjedhjet vendore të 8 majit, nën siglën e “Aleancës për të ardhmen”.
Ambasadori amerikan shprehu shqetësimin për incidentet e ditëve të fundit që po cënojnë qetësinë e fushatës elektorale.
Arvizu u ka bërë thirrje kandidatëve për bashkitë dhe komunat e vendit që të vënë në qendër të objektivave të tyre qytetarin.
Ambasadori Arvizu apeloi që palët të bëjnë përpjekje dhe të angazhohen për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në 8 maj.
Në këtë kontekst ai i kërkoi edhe KQZ-së që të luajë rolin e saj në zbatim të ligjit.
Ai vlerësoi gjithashtu edhe përpjekjet e qeverisë për transparencën e zgjedhjeve të 8 majit, duke theksuar se përpjekje duhet të bëjnë të gjitha palët e politikës shqiptare.
Thirrje për përmbushje të standardeve në zgjedhjet vendore të 8 majit bënë sot në Tiranë edhe përfaqësuesit e delegacionit të KiE-s që mbërriti në Tiranë për t’u njohur nga afër me situatën parazgjedhore, e cënuar edhe nga një numër incidentesh, të cilat mendohet se do të vijojnë, duke e parë në syrin e një politike të tensionuar ku kandidatët e forcave politike hedhin dita ditës akuza ndaj njëra-tjetrës, duke e kthyer këtë fushatë në një fushatë politike dhe jo fushatë programesh për qytetarin dhe zhvillimin e mëtejshëm të qyteteve shqiptare.
mit/NOA