Tiranë, 12 prill, NOA - Në kuadër të operacionit policor të koduar “Kombinimi”, i realizuar nga Policia e Tiranës, u krye arrestimi në flagrancë i 27-vjeçarit Kreshnik Kupi, lindur në Krujë dhe banues në Tiranë.
Lajmi konfirmohet nga burimet policore të kryeqytetit për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave, arrestimi i tij u krye pas një informacioni të poseduar në ngarkim të tij për shitje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.
Konkretisht, 27-vjeçari u kap dje në mesditë në Bulevardin “Bajram Curri” pranë Gjykatës së Tiranës, ku iu gjet sasia prej 100 gram lëndë e dyshuar narkotike, e
llojit kanabis sativa, e ndarë në 40 qese farmaceutike.
Po ashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin dhe në banesën e tij, iu gjendën dhe iu sekuestruan edhe dy pistoleta të llojit “Zastava” dhe “Dreyse”, me nga një krehër brenda me 4 fishekë dhe me 7 fishekë.
Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij, i kaluan prokurorisë së Tiranës, për konsumim të veprës penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”.
n.e/NOA