English

Pasqyra e Shtypit, 12 Prill 2011

Tiranë, 12 Prill, NOA - Gazetat shqiptare flasin mbi konfliktin e krijuar në ministrinë e Brendshme për incidentet elektorale në Kashar dhe Bathore, përplasja mes shefit të FNSH dhe zv/ministrit Avenir Peka për ndërhyrjen në qetësimin e situatës.

E përditshmja “Panorama” ka si argument kryesor titullin “Padi në Prokurori/ Zgjedhjet, shefi i FNSH përplaset me ministrin”, i cili flet për konfliktin e krijuar mes shefit të FNSH dhe zv/ministrit Avenir Peka, për incidentet elektorale në Bathore e Kashar.

“Vetëvritet me plumb në kokë, djali i viktimës së 21 Janarit/ Mesazhi në FB: Fitova lotarinë”, është një tjetër artikull i gazetës.

Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Zhduken dy tragete në Vlorë, dyshime për emigrantë në Libi”; “Shembet tavani në shkollën Dora d’Istria”; “Proces-verbali: Pse u pezullua për një muaj parlamenti” etj.

E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Fjalët e fundit të Bardhoshit”, i cili u pohon lexuesve të kësaj gazete fjalët e fundit të lëna nga djali i Faik Myrtajt, që u vetëvra ditën e djeshme.

“Shemsi Prençi: Çfarë ndodhi pas telefonatës me zv/ministrin e Brendshëm Peka” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

Për të vijuar edhe me artikullin tjetër me titullin “Elvira Dones: Rrëfimi për 3 gra kosovare të përdhunuara në kohën e luftës”.

“Gazeta Shqiptare” ka si artikull kryesor “Ministri i Brendshëm: Shtypini kokën PS-së”, i cili citon deklaratat e reja të kreut të forcave speciale ndaj ministrit të Rendit.

“Dëshmitari kundër Berishës në polici” është një artikull tjetër i kësaj gazete, referuar historisë së Shoshorit dhe Skënder Tufës, mikut të tij.

Kurse “Zjarr te Neurokirurgjia, shkrumbohen 1.3 milionë euro” flet për maturën shtetërore.

E përditshmja “Shqip” hapet me titullin kryesor “Konflikt në ministrinë e Brendshme”, i cili tregon sesi në dikasterin e Rendit pati kundërvënie mes zv/ministrit Peka dhe kreut të Forcave speciale për incidentet në Kashar dhe Bathore.

“Tragjedia, vetëvritet djali i Faik Myrtajt, i vrarë më 21 Janar” është një tjetër artikull kryesor i kësaj gazete.

Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Sekuestrohen pasuritë e kontrabandës”, “Provimet e Maturës, kusht për sistemin part-time” etj.

E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin “Islami: Basha fiton mbi Ramën me 2 mijë vota në 8 maj”, i cili pasqyron llogaritjet e parashikuara nga deputeti socialist ndaj garës elektorale për Bashkinë e Tiranës.

Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Basha: Unaza e Madhe, hapen 5 mijë vende pune në Tiranë”.

Një tjetër artikull i kësaj gazete është ai me titull “Arvizu: Dhuna të mos ketë përparësi në fushatën elektorale”.

Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Martë, 12 Prill 2011. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht. Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.

KOMENTE