Përrenjas, 12 prill 2011, NOA – Përgjaket aksi rrugor Përrenjas-Pogradec, ku një kamion përplasi për vdekje kalimtaren 46-vjeçare. Përplasja me kamionin rezultoi fatale për 46-vjeçaren Feride Tarushi, e cila po kalonte rrugën bashkë me bashkëshortin e saj Sefedin Tarushi, i cili ka marrë plagë të rënda e ndodhet në spital në rrezik për jetën, pas përplasjes me kamionin.
Korrespondenti i agjencisë NOA bën me dije se aksidenti i rëndë ndodhi në mesditë në aksin rrugor pranë fshatit Rajcë.
Policia që ka mbërritur në venngjarje për të hetuar rrethanat e aksidentit të rëndë arrestoi drejtuesin e kamionit, 21-vjeçarin Fatjon Shahini nga qyteti i Pogradecit, i cili përplasi dy kalimtarët.
Nga hetimet paraprake dyshohet se drejtuesi i kamionit ka qenë duke lëvizur me shpejtësi më të madhe se e lejuara, aq më tepër që aksi rrugor është në punime e sipër dhe aty kalojnë për në anën tjetër të rrugës banorët e zonës, të cilët jo rrallëherë bëhen pre e aksidenteve.
mit/NOA