English

Rritja e çmimit të bukës në Vlorë, ndërhyn Autoriteti i Konkurrencës

Tiranë, 12 Prill, NOA - Komisioni Konkurrencës ka vendosur marrjen e disa masave të përkohshme për ndalimin e marrëveshjes në tregun e prodhimit dhe të tregtimit të bukës në Vlorë, ndërsa është informuar se ka një rritje të menjëhershme dhe thuajse nga të gjithë ofruesit të çmimit të bukës në këtë qytet.

Këto masa janë marrë në kuadër të hetimit që po kryen Autoriteti i Konkurrencës, në këtë treg me qëllim ndalimin e shkeljeve të mundshme të ligjit 9121, “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Mësohet se Autoriteti i Konkurrencës, në mënyrë të menjëhershme, ka realizuar inspektime në këtë treg, ku u konstatua se rritja e çmimit të bukës në qytetin e Vlorës ka ardhur pas një takimi të 42 prodhuesve dhe tregtuesve të bukës në datë 21.3.2011.

Në këtë takim është rënë dakord se që nga data 23.03.2011 çmimi i bukës 900 gr do të jetë 120 lek dhe çmimi i bukës 450 gr. do të jetë 60 lek.

“Sjellja e këtyre ndërmarrjeve për fiksimin e çmimit të shitjes së bukës në qytetin e Vlorës ka të ngjarë të jetë një shkelje e nenit 4, pika 1, germa a) të Ligjit Nr 9121, dt 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” i ndryshuar. Kjo shkelje e mundshme sjell një dëm të rëndë për konkurrencën në treg, dhe për konsumatorët”, citon Autoriteti i Konkurrencës.

n.e/NOA

KOMENTE