English

Spahiu: Imuniteti ka nxitur korrupsionin politik dhe gjyqësor

Tiranë, 12 Prill, NOA – “Imuniteti është shndërruar në një pengesë kushtetuese dhe barrierë për garantimin e parimeve universale të barazisë përpara ligjit të shtetasve shqiptarë.

Imuniteti ka shkaktuar pabarazi të theksuara të qytetarëve me politikanët dhe gjyqtarët duke i bërë ata pjesë e dorës së dytë në shoqëri dhe duke i shndërruar politikanët dhe gjyqtarët në një pjesë të privilegjuar dhe të paprekshme nga ligji.

Kjo pabarazi duhet të shuhet përfundimisht pasi ajo ka nxitur rëndë korrupsionin politik dhe atë gjyqësor”.

Kështu është shprehur zv/kryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu gjatë një tryeze me temë heqjen e imunitetit të deputetëve dhe gjyqtarëve, organizuar nga Programi Paka i BE dhe KiE në Shqipëri.

Në takim merrnin pjesë kreu i komisionit parlamentar të Ligjeve dhe Prokuroria e Përgjithshme, Këshilli i Lartë i Drejtësisë etj.

Sipas Spahiut, heqja e imunitetit të gjyqtarëve është çështje e ditës pasi me dhjetëra iniciativa, kontrolle, inspektime nuk kanë efiçencë apo rezultat pasi ato minimizohen në probleme disiplinore duke pamundësuar në këtë mënyrë luftën kundër korrupsionit.

“Ne jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha kapacitetet tona në favor të këtij debate dhe gjetjen e një zgjidhje të shpejtë”, tha Spahiu.

n.e/NOA

KOMENTE