English

Topi-Abrial: Shqipëria anëtare e denjë e Aleancës

Tiranë, 12 prill 2011, NOA – Komandanti i Komandës së Aleancës për Transformim, Gjenerali i Forcave Ajrore, Stefan Abrial siguroi në Tiranë mbështetjen e mëtejshme të Forcave të Armatosura shqiptare duke nënvizuar se “Shqipëria është një anëtare e rëndësishme dhe e denjë e Aleancës, e cila me rolin e saj konstruktiv e moderator ndikon drejtpërdrejt në ruajtjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajonin ballkanik”.

Këtë mbështetje gjenerali Abrial e shprehu gjatë takimit me Presidentin e Republikës Bamir Topi, i cili shprehu bindjen e tij se dy vjet pas aderimit të Shqipërisë me të drejta të plota në NATO, Forcat e Armatosura Shqiptare ndihen më të angazhuara për të vazhduar misionin në dobi të paqes dhe sigurisë, për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit, familjes euroatlantike dhe më gjerë.

Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë gjatë takimit me Komandantin e Komandës së Aleancës për Transformim, Gjeneralin e Forcave Ajrore, Stefan Abrial dhe delegacionin shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme dhe ndihmesën e gjithanshme të NATO-s dhënë vendit tonë, kryesisht në fushën politike dhe ushtarake, si dhe në konsolidimin e Forcave tona të Armatosura, për të qenë njësi elitare përkrah misioneve të partnerëve të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Zoti Topi e vlerësoi të rëndësishme vizitën e funksionarit të lartë ushtarak të aleancës më të madhe politike-ushtarake në botë për forcimin e marrëdhënieve të vendit tonë me NATO-n.

Presidenti bëri një përshkrim të shkurtër të reformimit e të modernizimit të Forcave të Armatosura shqiptare në përmbushje të detyrimeve, kritereve dhe standardeve që burojnë nga anëtarësimi i vendit tonë në NATO.

Gjenerali i Forcave Ajrore Stefan Abrial, përgëzoi Kreun e Shtetit për ndryshimet, arritjet pozitive dhe reformimin e Forcave të Armatosura shqiptare, për përpjekjet në përmbushjen e të gjitha detyrimeve si anëtare e NATO-s, si dhe për kontributin pozitiv të Shqipërisë dhe forcave paqeruajtëse shqiptare në kuadër të misioneve në Bosnje, Irak dhe më së fundmi në Afganistan.

mit/NOA

KOMENTE