English

Topi: Të shmanget dhuna në fushatë, të bëhet transparenca e financimeve

Tiranë, 12 prill, NOA - Presidenti i vendit, Bamir Topi ka kërkuar sot nga partitë politike që të bëjnë transparencën financimeve gjatë fushatës elektorale. Gjatë një takimi me përfaqësuesit e Transparency International dhe drejtues të Forumit shqiptar “Mendimi i Lirë”, kreu i shtetit ka theksuar nevojën e paraqitjes së alternativave në këtë proces zgjedhor.

Topi apeloi edhe njëherë për nevojën e realizimit me sukses të këtyre zgjedhjeve përmes një procesi të drejtë e korrekt zgjedhor dhe sipas standardeve demokratike, duke konsideruar si “të domosdoshme prezantimin e alternativave bindëse në shërbim të qytetarëve dhe uljen e tensioneve të panevojshme”.

Nga ana tjetër, Topi është ndalur edhe në incidentet e fundit në mes simpatizantëve të dy kampeve. Ai theksoi “nevojën e shmangies së dhunës fizike gjatë fushatës zgjedhore, e cila vjen natyrshëm pas dhunës verbale të përdorur nga disa kandidatë, sepse përgjegjësia e plotë për këto do të bjerë vetëm mbi partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre.”

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e “Transparency International Albania”, pasi falenderuan Presidentin Topi për pritjen e ngrohtë e të përzemërt, shprehën gjithashtu dëshirën për realizimin e zgjedhjeve vendore të drejta e të qeta. Ndërkaq, nisur nga raportet tashmë të hartuara prej tyre mbi gjendjen e financimeve të partive politike, përfaqësuesit e TIA-s vlerësuan ndryshimet në ligjin mbi partitë politike kryesisht për financimet, por theksuan se këto ndryshime ende nuk japin garancinë e transparencës së kërkuar për burimet financiare të partive politike, sidomos gjatë fushatave zgjedhore.

Gjithashtu, ata e informuan Kryetarin e Shtetit mbi faktin se në zgjedhjet aktuale vendore, vetëm “Transparency International” do të ketë raport monitorues, kurse procesin e transparencës zgjedhore do ta ndjekin indirekt edhe organizata të tjera.

Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin shumëvjeçar të Organizatës globale “Transparency International” si një rrjet që tenton të nxisë qeveritë në zbatimin e reformave antikorrupsion, si dhe misionin që ky organizëm vijon të kryejë në hulumtimin dhe evidentimin e fenomeneve korruptive në vende të ndryshme të globit, hartimin e analizave të detajuara dhe nxjerrjen e të dhënave konkrete në luftën e hapur ndaj korrupsionit, me qëllim forcimin e shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave të individit.

a.k/NOA

KOMENTE