English

Vëzhgim i rreptë i zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni

Shkup, 12 prill, NOA - OSBE-ODIHR dhe organizatat e tjera ndërkombëtare kanë paralajmëruar vëzhgim të rreptë të zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni.

Përfaqësues të lartë të OSBE/ODIHR po shqyrtojnë planin e vëzhgimit të këtyre zgjedhjeve dhe se janë në pritje të ftesës nga ana e qeverisë së Maqedonisë.

Nga OSBE nuk bëjnë të ditur se cili do të jetë numri i vëzhguesve që do të marrin pjesë në Maqedoni.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi dje vendimin për dërgimin e një komisioni “ad hoc” për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme. Mevlut Çavoshogllu, kryetari i AP të KE-së tha se kanë vendosur për dërgimin e një ekip vëzhguesish, por deri tani nuk kanë pranuar ftesën zyrtare nga autoritetet e Shkupit.

OSBE/ODIHR dhe KE-ja pritet të mbërrijnë në vend gjatë javës së ardhshme, pasi që misionet e tyre nuk kanë për qëllim që të vëzhgojnë zgjedhjet vetëm në ditën e votimit, por edhe vëzhgimin e kushteve për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Një pjesë e partive opozitare kanë hedhur dyshimet për mundësinë e manipulimit të zgjedhjeve të parakohshme dhe se këto shqetësime i janë përcjellë edhe përfaqësuesve ndërkombëtarë. Partitë politike kanë nisur takimet me ambasadorë të vendeve të BE-së, nga ku kanë kërkuar monitorim sa më të rreptë ndërkombëtar dhe angazhim për zgjedhje të lira dhe demokratike.

NOA-INA

KOMENTE