English

Zvicra, 60 milionë franga për zhvillimin e Kosovës deri në 2012

Gjenevë, 12 prill 2011, NOA – Zyrtarë të lartë zviceranë kanë deklaruar se do të përkrahin zhvillimin e Kosovës me projekte dhe programe për periudhën 2009 – 2012, që do të përfshijnë një buxhet prej 60 milionë frangash zvicerane. Kjo strategji bashkëpunimi deri në vitin 2012 e ka bërë Zvicrën një ndër vendet donatore kryesore për Kosovën, kur dihet që deri në 2009-ën përkrahja e përgjithshme civile për Kosovën ka arritur në 300 milionë franga zvicerane.

Kjo mbështetje u bë publike gjatë kremtimit në Gjenevë të 50-vjetorit të themelimit dhe veprimtarisë së Drejtorisë për Zhvillim dhe Kooperim (DDC) në Zvicër.

“Qëllimi i strategjisë është përkrahja e Kosovës në tranzicionin e saj dhe procesin e shtetndërtimit, duke kontribuar që të përmirësohet: Rritja ekonomike dhe punësimi i qëndrueshëm; qeverisja qendrore e lokale, sundimi i ligjit dhe proceset demokratike si dhe në qasjet në infrastrukturën dhe shërbimet bazë”, deklaroi për agjencinë informative kombëtare “Presheva Jonë” drejtori i Drejtorisë për Zhvillim dhe Kooperim (DDC), Martin Dahinden.

“Është fakt se dikur departamenti ynë kishte një angazhim më të madh në Kosovë, ku aksionet e ndihmave nga qeveria jonë ishin më të shpeshta për shkak situatës së vështirë në rajon që ballafaqohej popullata. Me përmirësimin e situatës në rajon angazhimi ynë sot nuk i ngjan atij të mëparshmit në Kosovë. Por, kjo nuk do të thotë se ne jemi ndalur së ndihmuari Kosovën. Ne edhe më tutje do të kontribuojmë në proceset në rajon, sidomos me ndihma humanitare”, theksoi drejtori Dahinden.

Siç dihet Zvicra kontribuon në zhvillimin ekonomik dhe luftën kundër varfërisë në shumë vende anembanë botës.

Çdo vit Zvicra investon rreth 2.2 miliardë franga zvicerane në programe e projekte që synojnë të përmirësojnë jetën e të varfërve dhe të lënëve pas dore.

Vitet e fundit, Konfederata Zvicerane e ka shtuar vëllimin e asistencës zyrtare për zhvillim dhe Kosova është ndër vendet prioritare të asistencës zvicerane për zhvillim.

Gjithashtu Zvicra është duke ofruar përkrahje për Kosovën që nga viti 1998, veçanërisht me ndihmën humanitare, në rindërtim dhe ndihmë për kthimin e refugjatëve.

Në këtë jubile të DDC-së, merrnin pjesë drejtori Martin Dahinden, presidentja e konfederatës zvicerane Micheline Calmy-Rey, ambasadorë të vendeve botërore ai i SHBA-ve, dhe vendeve të BE-së, ambasadori shqiptar në OKB Sejdi Qerimaj, ai i Maqedonisë Azis Pollozhani si dhe zyrtarë të lartë të OKB-së, përfaqësues nga UNHCR dhe ICRC në Gjenevë.

mit/NOA

KOMENTE