Bronx-Nju Jork, SHBA, 13 prill 2011, NOA – Një aksident i rëndë rrugor në lagjen e njohur Bronks të Nju Jorkut në Shtetet e Bashkuara i ka marrë jetën dy adoleshentëve shqiptarë, ndërkohë që i një person i tretë po lufton me jetën. Dy adoleshentët shqiptarë mbetën të vdekur në vend, ndërsa i treti po lufton me jetën, pasi makina e tyre u përplas me një mbikalim në një rrugë kryesore në Bronx të Nju Jorkut, bën me dije agjencia informative "Presheva Jonë" duke iu referuar burimeve të policisë amerikane.
Ngjarja me pasoja tragjike ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm dhe rreth orës 6:30 pasdite me kohën e Nju Jorkut, kur shoferi i 20-vjeçar u përpoq për të kaluar një kamion të ngarkesave të rënda(traktor) në pjesën Lindore të rrugës Fordham Road afër Southern Bulevard, aty ku ndodhet edhe zyra e Vatrës në Bronks.
Sipas policisë amerikane aksidenti i rëndë ndodhi për shkak të shpejtësisë tejet të lartë.
Kjo bëri që shoferit të autoveturës duke tentuar të manovrojë për të mos goditur kamionin t’i dalë automjeti jashtë kontrollit duke u përplasur në mbikalimin e rrugës.
Dy të vdekurit sipas policisë janë pasagjerët, të dy të gjinisë meshkuj, të moshës nga 16 dhe 19.
Shoferi i automjetit ishte një 20-vjeçar, i cili është në gjendje kritike për jetën në reaminacion.
Raporti i parë i policisë thekson se “Nuk ishte e qartë nëse ndonjë prej viktimave ishin të lidhur me rripin e sigurimit të tyre”.
Gjithashtu policia amerikane nuk ka të qartë edhe shkaqet që çuan në këtë aksident me pasoja tragjike.
Hetimet për aksidentin po vijojnë.
mit/NOA