English

Arrestohet autori i plagosjes së Ali Doçit, i riu u sulmua gjatë takimit të Ramës

Tiranë, 13 prill 2011, NOA- Policia e Tiranës pasditen e sotme ka vënë në pranga autorin e dyshuar për plagosjen e 16-vjeçarit Ali Doçi gjatë mbrëmjes së djeshme, pak para takimit elektoral të kreut të Partisë Socialiste Edi Rama në njësinë bashkiake numër 5.

I dyshuar për këtë vepër është Arbër Ristani i moshës 21 vjeç , i cili ra në prangat e policisë falë punës së repartit të Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr.2 Tiranë.

Që nga mbrëmjë e djeshme policia e kryeqytetit nisi një punë intensive për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar të kësaj plagosje.

Arrestimi i tij u bë në afërsi të rrugës “Margarita Tutulani” në Tiranë, ku autori i dyshuar ndodhej në një banesë.

Ndërkaq burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se autori, dyshohet që në bashkëpunim me persona të tjerë, të jenë autor të plagosjes me thikë të 16 vjeçarit Ali Doçi të ndodhur ditën e djeshme, në afërsi të Qëndrës “Kristal” në Tiranë.

Ndaj 21 vjeçarit Ristani, po merret masa e arrestit në flagrancë për konsumim të veprës penale të plagosjes me dashje.

16-vjeçari Doçi ka ngelur i plagosur me thikë gjatë përgatitjes së terrenit për mbërritjen e kreut të opozitës dhe kandidatit për bashkinë e Tiranës Edi Rama, për një takim me qytetarët e zonës së Komunës së Parisit.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka vizituar në spital 16 vjeçarin e plagosur dje dhe ka thënë se, “Meta dhe Berisha synojnë të mbajnë me dhunë pushtetin që të vazhdojnë të vjedhin. Nëse ata duan të fitojnë diçka, duhet ta bëjnë me votë”.

a.y/NOA

KOMENTE