Tiranë, 13 prill 2011, NOA – Kur mbeten tri javë nga mbajtja e zgjedhjeve vendore të 8 majit Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu i ka bërë thirrje partive politike se zgjedhjet vendore janë të rëndësishme si ato kombëtare dhe partnerët ndërkombëtarë kërkojnë nga palët që të angazhohen për një proces transparent dhe të lirë. Ambasadori Arvizu bëri me dije se kandidatët dhe mënyra se si do të zhvillohen këto zgjedhje vendore do të monitorohen nga afër nga SHBA-të, BE, OSBE/ODIHR, duke preçizuar se nga kjo do të varet edhe rruga e Shqipërisë drejt BE-së.
Ambasadori amerikan i bëri apel kandidatëve për kryetarë të bashkive dhe komunave të vendit që garojnë në zgjedhjet vendore të 8 majit që të vënë në qendër të fushatës elektorale, zgjedhësit dhe të punojnë për zgjidhjen e problemeve të tyre dhe jo për politikën.
Këtë deklaratë ambasadori Arvizu e bëri gjatë aktivitetit të Këshillit Shqiptar për marrëdhëniet me jashtë.
Ambasadori amerikan i tërhoqi vëmëndjen kandidatëve kur u shpreh se “këta zyrtarë, duhet të flasin për kujdes shëndetësor, punësim, rrugët, etj dhe nuk është për tu habitur, kur vetë votuesit janë të shqetësuar dhe atmosfera tejet partiake po pengon të ofrojë shërbime në nivel qendror”.
Duke folur për demokracinë funksionale, Arvizu tha se “mendoj se zgjedhjet vendore dhe kandidatët janë një pasqyrim i demokracisë. Si kryetar i këshillit Bashkiak, mund të presësh zezultate ose të mënjanohesh prej votuesve”, risolli në vëmendje Arvizu, duke tërhequr kështu edhe vëmendjen e politikës që për çdo rast të pranojë rezultatin e zgjedhjeve.
Zoti Arvizu u bëri apel edhe qytetarëve që ta hedhin votën në mënyrën e duhur, për atë kandidat që punon më shumë për ta.
Ndërkaq, ambasadori amerikan deklaroi se partitë politike duhet të tregojnë vullnet politik dhe jo ta kthejnë fushatën në një ring politik me kundërshtarin.
Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu informoi se ODIHR do të dërgojë një mision vëzhguesish me 300 vëzhgues afatshkurtër për monitorimin e procesit zgjedhor, pasi sikundër tha ai edhe zgjedhjet vendore kanë rëndësi kombetare.
Ndërkohë nënvizoi se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë 350 mijë dollarë për të mbështetur mbarëvajtjen e zgjedhjeve vendore të 8 majit.
mit/NOA