English

Basha: Mbi punësimin, për mua si kryebashkiak nuk ka asnjë prioritet tjetër

Tiranë, 13 prill 2011, NOA- Kandidati për bashkinë e kryeqytetit i koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Lulzim Basha gjatë ditës së sotme u ndal në njësinë bashkiake nr.2.

Gjatë takimit me banorët ai u angazhua për krijimin e vendeve të reja të punës në Tiranë dhe për uljen e taksave ndaj biznesit.

Basha bëri të ditur se në platformën e tij parashikohet decentralizim real për ta sjellë pushtetin vendor pranë problemeve të qytetarëve.

Në këtë minibashki ai prezantoi edhe kandidatin e kësaj njësie, Elez Gjoza duke thënë se kryetarët e minibashkive nuk do të kenë më kompetencë të vetme dhënien e certifikatave.

Së bashku me Gjozën, ata përsëritën angazhimin për punësimin, uljen e taksave dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

“Taksat janë rritur nga viti në vit, por përsëri Kryebashkiaku ynë na thotë se kjo s’ka lidhje me çmimet. Unë them ka lidhje me çmimet, do ti ulim taksat dhe do bëjmë normalizimin e çmimeve prioritetin tonë numër një”, u shpreh kandidati për qytetar të parë të kryeqytetit.

Më tej ai shtoi se, Kryebashkiaku Rama shprehet se nuk ka lidhje me punësimin, dhe duke kundërshtuar këtë deklaratë ai u zotua se mbi punësimin, për Lulzim Bashën Kryebashkiak, nuk do ketë asnjë prioritet tjetër.

Ai u garantoi qytetarëve se sapo të vij ai në drejtim të Bashkisë së Tiranës, do punojë për të rindërtuar këtë lagje duke nisur me vlerësimin e pronës private ashtu siç duhet, në mënyrë të tillë që çdokush të përfitojë nga prona e tij.

Sipas tij kjo do bëhet në mënyrë që jo dikush ta shohë pronën ti kthehet në flori dhe tjetri ta shohë ti kthehet në baltë.

Basha premtoi gjithashtu se projekti i tij do të përqendrohet në ndërtimin e kopshteve dhe shkollave të reja, në krijimin e infrastrukturës rrugore si dhe në krijimin e hapësirave të gjelbra në Tiranë.

Ndërsa kandidati Gjoza deklaroi se arsyeja që ai hyn në garë janë pikërisht interesat e qytetarëve, madje u premtoi banorëve se kjo deklaratë do të bëhet realitet sapo ai të vijë në drejtimin e minibashkisë numër 2.

Elez Gjoza vjen nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

a.y/NOA

KOMENTE