Tiranë, 13 prill 2011, NOA – Kryeministri Sali Berisha garantoi delegacionin e vëzhguesve zgjedhorë të Këshillit të Evropës për mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare në përmbushjen me sukses të misionit të tyre për monitorimin e situatës parazgjedhore dhe të procesit zgjedhor të 8 majit. Zyra e shtypit e qeverisë zbardhi para pak minutash takimin e kryeministrit me vëzhguesit e KiE-s duke bërë me dije se kreu i qeverisë i siguroi ata për angazhimin total të qeverisë për zhvillimin e zgjedhjeve vendore të lira, transparente dhe në përputhje me standardet më të larta të OSBE-së.
Shefi i qeverisë e cilësoi si tejet të rëndësishëm rolin e vëzhguesve ndërkombëtarë në zgjedhje.
Zoti Berisha shprehu mirënjohjen që ftesës së qeverisë shqiptare iu përgjigjën një numër i madh vëzhguesish si kontribut për rritjen e transparencës në zgjedhje.
Ai tha se procesi zgjedhor në Shqipëri bazohet mbi një Kod Elektoral konsensual, në një sistem unik e transparent të numërimit të votave, një sistem që sipas kryeministrit u dëshmua funksional në zgjedhjet e vitit 2009-ës, të cilat sikundër tha ai, u ëertifikuan nga raporti i OSBE/ODIHR-it.
Shefi i ekzekutivit theksoi gjithashtu se “këto zgjedhje zhvillohen me lista votuesish plotësisht të dixhitalizuara e transparente”, të cilat sikundër tha ai, janë me një cilësi tejet të lartë saktësie dhe të hartuara nga vetë pushteti vendor.
Kryeministri i informoi vëzhguesit se çdo ndërhyrje për përmirësimin e listave të votuesve tyre është bërë konform ligjit.
Më tej kryeministri e njohu delegacionin me kornizën e re për financimin e partive politike të hartuar në përputhje të plotë me rekomandimet e GRECO-s dje dhe të ëertifikuar me sukses prej saj në fillim të këtij muaji.
Vëzhguesit ndërkombëtarë u njohën edhe me urdhrin e nxjerrë nga kryeministri për ndalimin e përdorimit të çdo aseti publik në fushatë elektorale, përfshirë automjetet e kabinetit qeveritar, si një hap tjetër domethënës të ndërmarrë për herë të parë nga qeveria për një proces zgjedhor në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Kryeministri duke komentuar incidentet elektorale i bëri me dije vëzhguesve se nuk ekzistojnë arsye për tensionimin e fushatës.
Ai shprehu bindjen e tij për një fushatë të qetë, duke nënvizuar se ndryshe nga fushata me retorikë politike e Partisë Socialiste dhe liderit të saj Edi Rama, Partia Demokratike po zhvillon një fushatë pozitive të fokusuar tek interesat e qytetarit dhe komunitetit.
Në takim u diskutua edhe për mbulimin mediatik të fushatës, masat që KQZ-ja po merr për parandalimin e votimit familjar, si dhe çështje të tjera të procesit zgjedhor.
Zonja Hana Richtermocova, kryetarja e delegacionit tha gjatë takimit me kryeministrin se misioni i tyre kishte për qëllim njohjen hap pas hapi me situatën parazgjedhore dhe përgatitjet për procesin zgjedhor si dhe vëzhgimin e zhvillimit të zgjedhjeve.
Për këtë qëllim, delegacioni i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Evropës po zhvillon takime me partitë politike dhe institucionet e angazhuara në këtë proces.
Zonja Richtermocova shprehu gatishmërinë e KiE-s për të kontribuar sa më shumë për transparencën e zgjedhjeve dhe forcimin demokracisë në Shqipëri.