Shkup, 12 prill, NOA - Edhe pse ende zyrtarisht nuk ka filluar fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 5 qershorit, partitë shqiptare janë mobilizuar në të gjitha format për të dalë sa më mirë në këtë ‘betejë politike’.
Ajo që përbën risi në këtë fushatë elektorale është fakti që subjektet politike janë në kontakt dhe komunikim virtual të vazhdueshëm me votuesit e tyre, nëpërmjet përdorimit të rrjeteve sociale të njohura.
Një numër i madh i partive politike nxisin dhe vazhdimisht aktivizojnë aktivistët e tyre kujdestarë që të propagandojnë në internet. Me këtë luftë sa shumë të zëshme janë involvuar edhe krerë të lartë partiak por edhe liderë, të cilët e masin veten e tyre dhe internetin e shohin si barometër për të parë rejtingun e partive të tyre.
Ueb faqet e partive politike afishohen më shpesh me lajme të reja të cilat pastaj i gjen në forumet e ndryshme të qytetarëve në Maqedoni.
Në web, faqen e Bashkimit Demokratik për Integrim mund t'i gjesh të gjitha informacionet dhe njoftimet për aktivitet e liderit të tyre Ali Ahmeti dhe anëtarëve tjerë të partisë. E njëjta ndodhë edhe me Partinë Demokratike Shqiptare dhe Demokracinë e Re.
Ndërsa këtyre ditëve ka lansuar ueb faqen edhe partia e re Rilindja demokratike Kombëtare, e kryesuar nga Rufi Osmani.
Lansimi i komunikatave, lajmeve dhe informacioneve të paverifikuara vazhdojnë të dominojnë në faqet e ndryshme të internetit, sidomos nëpër forume të ndryshme apo faqe ku ka tollovi debatesh. Agjencitë e marketingut vlerësojnë se një numër i madh i subjekteve politike e shikojnë si mundësi për të bërë propagandë nëpërmjet internetit, si një hapësirë e re e propagandimit dhe komunikimit masiv.
“Është shtuar komunikimi politik në internet, por në masë të madhe kjo gjë edhe po ka kundër efekt, për shkak të keqpërdorimeve. Problemet aktuale dhe shfaqja e partive ditë e më tepër po bëhet në internet. Jo rrallë shpërndahen thashetheme apo hamendje që pak kanë të bëjnë me realitetin, por ato shfrytëzohen nga qendrat politike për të matur pulsin dhe për të shitur propagandën e tyre”, thekson Albian Shabani nga agjencia “Mediars”.
Analistët thonë se kjo mënyrë e komunikimit do të jetë direkt në shërbim të sqarimit të programeve elektorale dhe ndërgjegjësimit e orientimit më të mirë për çdo votues apo grup interesi para dhe pas proceseve zgjedhore.
NOA-INA