English

E plotë- Rama në Vlorë: Përgatituni të humbni edhe në Kamëz e Kavajë

Vlorë, 13 prill 2011, NOA- (Update) Kreu i socialistëve Edi Rama gjatë prezantimit të kandidatit për Bashkinë e Vlorës, Shpëtim Gjika deklaroi se vota e 8 majit do ndëshkojë qeverinë e kusarisë.

Rama, u shpreh se rruga drejt zgjedhjeve të 8 Majit është e rrezikshme, por ai i siguroi kundërshtarëve të tij politikë, se nuk do kenë mundësi të fitojnë me forcë e para, as në zonat që i konsiderojnë bastione të tyret në Kavajë e Kamëz.

Sipas Ramës, Berisha i trembet sloganit të Partisë Socialiste, pasi ky slogan përfaqëson të vërtetën në një kohë që rruga e Saliut është rruga e dhunës antikushtetuese.

Sipas tij mësimin më të madh qeveria do e marrë nga qytetarët e Vlorës dhe ata të gjithë Shqipërisë.

Fjala kryetarit të PS, Edi Rama, në Vlorë:

Motra dhe vëllezër vlonjatë, të dashur miq nuk është aspak e re për ju por është këtu vendi për ta thënë përsëris se Shpëtim Gjika është e vetmja rrugë për Vlorën. PS është e vetmja rrugë për Vlorën. Aleanca për të Ardhmen është e vetmja rrugë për Vlorën. Vlora është në rrugën e të ardhmes sepse ne jemi ndryshe dhe modeli ynë funksionon edhe kur na bllokojnë, na godasin, na pengojnë siç është përpjekur të bëjë por më kot Saliu me Tiranën, Vlorën, Fierin, Elbasanin, Durrësin, Beratin dhe kudo ku qeverisin socialistët progresistët me forcën e pasionit tonë politik dhe njëkohësisht mu fuqinë e imagjinatës dhe të vullnetit tonë të palëkundur për tu shërbyer qytetarëve, të gjithë qytetarëve siç ju shërben dhe Shpëtim Gjika këtu në Vlorë.

Mjafton të shohësh se ç’ është sot Vlora dhe të dëgjosh Shpëtimin se çdo të jetë nesër Vlora për të kuptuar se ne jemi e vetmja rrugë e sigurt drejtë së ardhmes për Vlorën e për gjithë Shqipërinë. Rruga e tyre është rruga e dhunës anti -kushtetuese. Është rruga e ushtrimit të paligjshëm të forcës. Është mbi të gjitha rruga e injorancës së verbër që përpëlitet prej zemërimit përpara të bukurës. Që përpëlitet prej zilisë për suksesin e tjetrit. Që përpëlitet prej babëzisë që i bën të papërmbajtshëm Saliun, Ilirin dhe Oborrin e pushtetit, në kusari dhe në matrapazllëk. Rruga jonë është rruga e mirëqeverisjes për komunitetin, e ushtrimit të mandatit me forcën e pasionit të ndryshimit dhe mbi të gjitha është rruga e njerëzillëkut, e qytetarisë, e shqetësimit për të nxjerrë në dritë çdo ditë punë të mira për njerëzit, duke qeverisur bashkë me njerëzit. Rruga e tyre çon në fashizëm, në dhunë dhe në frikë, në regres shoqëror dhe në rrënim ekonomikë. Rruga jonë çon në europë, në liri dhe në punë, në modernizmin shoqëror dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomikë. Rruga e tyre nuk ka të ardhme për qytetarët po vetëm korsi interesash për pushtetarët. Ndërsa rruga jonë shkon shumë më larg sesa mandati ynë dhe në korsinë e kësaj rruge garohet çdo ditë për të shkuar më larg duke ecur më shpejtë. Jo duke penguar të tjerët që të ecin. Sepse ata i bashkon kusaria që futi në të njëjtin krevat Saliun me Ilrin, kurse ne na bashkon qytetaria që na ka sjellë në këtë rrugë edhe mua edhe Shpëtimin edhe të gjithë kandidatët e tjerë të PS dhe Aleancës për të Ardhmen në të gjithë rrethin, qarkun e Vlorës dhe në të gjithë Shqipërinë.

Ne jemi e vetmja rrugë dhe lejomëni që këtu nga sheshi i flamurit ti tregoj Saliut se sado të vështirë e ka, sado të pamundur e ka, sado me dëshpërim e sheh sloganin tonë, ky nuk është një slogan, kjo është e vërteta. Pasi ne jemi e vetmja rrugë që askush, asnjë shqiptar që është në rregull me ligjin të mos i friket qeverisë për shkak të mendimeve të tij, të sjelljeve të tij, të zgjedhjeve të tij ashtu siç plot i friken qeverisë në rrugën e tyre. E vetmja rrugë që asnjë nëpunës të mos humbasë vendin e punës si pasojë e bindjeve të tij jemi ne dhe jo rruga e tyre, ku për shkak të bindjeve njerëzit humbin punën e për shkak të bindjeve cënohen përditë në dinjitetin e tyre dhe në të drejtën e tyre që me punë të mbajnë familjet e tyre. Ne jemi e vetmja rrugë që asnjë mësues të mos detyrohet të shkojë në mitingjet e qeverisë kundër dëshirës së tij, kurse në rrugën e tyre kjo ndodh rregullisht, sa herë Saliu kërkon një tribunë dhe një shesh për të thënë gënjeshtrat e tij, shpifjet e tij, premtimet e tij që s’janë gjë tjetër veçse shprehje e një pushteti që flet e flet e flet për qytetarët por mendon e punon vetëm për vete. Rruga jonë është e vetmja rrugë që asnjë sipërmarrës të mos kërcënohet me gjoba mafioze për shkak të pavarësisë apo paanësisë së tij. Ndërsa në rrugën e tyre sipërmarrësit ndeshen në çdo hap me kërcënime e me dënime të pa merituara sepse janë të paanshëm, apo të pavarur prej pushtetit të atyre që vodhën zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë dhe vranë për të vazhduar të vjedhin. Rruga jonë është rruga e vetme ku asnjë polic të mos vihet nën urdhra të paligjshëm për bukën e gojës së tij. Kurse rruga e tyre është rruga e nënshtrimit dhe e cenimit të dinjitetit të policëve, shërbëtorëve me uniformë të këtij shteti vetëm për interesa të pushtetit.

Në rrugën e tyre vetëm pak ditë më parë u kërcënua vetë Drejtori i forcave speciale, të cilit ju kërkua të nxirrte forcat speciale për të shtypur socialistët në Kamëz dhe në Bathore. Sali sorollatet nëpër Shqipëri e flet për qytetarin dhe moralin por ende nuk ju ka thënë shqiptarëve pse e mban në detyrë atë ministër të brendshëm që kërkoi qorrazi, në shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit, përdorimin e forcave speciale kundër opozitës. Kjo është rruga e tyre.

Motra dhe vëllezër,

Ne e dimë mirë në çfarë zgjedhje të rrezikuara po hyjmë, por lejomëni që këtu nga sheshi i Flamurit ti them Saliut dhe Ilirit se duhet ta harrojnë që këto zgjedhje ti fitojnë kurdo qoftë. Nëse duan të fitojnë duhet të djersisin fort dhe do fitojnë vetëm me votë, në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrugë tjetër. Ndërkohë që u them të përgatiten se me votë edhe në Kavajë dhe në Kamëz mund të munden. 2 vjet më parë votat u vodhën dhe Shqipëria ra në rrokullimën e kusarisë, e gënjeshtrave pa fund. Vjedhja e votës është hyrja në rrugën qorre të një krimi që bëjnë çdo ditë siç e shihni pushtetarët dhe e paguajnë çdo ditë siç e ndjeni në kurrizin tuaj gjithmonë e më shtrenjtë qytetarët. Tek vjedhja votës nis braktisja e hapur e interesave kombëtare. Shkelja e vazhdueshme e interesave publike, dhunimi i pandalshëm i interesave të njerëzve që humbasin fuqinë për ta shkarkuar qeverinë me votë. Një qeveri që ta merr votën edhe kur s’ja jep të merr pastaj lekët, të merr shpirtin, të merr madje dhe jetën, sepse nuk i duhesh, nuk i vlen, nuk i hyn në asnjë llogari të sajën. Ja pse vota është një fuqi magjike pa të cilën magjia e demokracisë ja lë vendin degjenerimit të përditshëm të qeverisjes, të institucioneve, konkurrencës në treg, të të gjitha hapësirave ku shtrihen marrëdhëniet mes një shteti të kapur nga pushteti dhe të një qytetari që nuk gjen më asnjë të drejtë në dyert e shtetit. Kjo është e keqja që e gjen një popull siç ka gjetur Shqipërinë e vjedhur në votë sepse është ndaluar në fuqinë për të ndëshkuar me votë. Saliu flet përditë për kanale, flet përditë për rrugë fshati, flet përditë për kilometra asfalti, punë komunale të gjitha këto. Ndërkohë që nuk i jep përgjigje pyetjes që bren çdo ditë familjet e zakonshme shqiptare. Pse kaq shumë shqiptarë të rinj dhe të moshuar ndihen sot më të pafuqishëm përballë shtrenjtimit të jetesës dhe kufizimit të mundësive të tyre për të jetuar?! Pse kaq shumë shqiptarë kanë humbur dhe po humbin përditë punën?! Pse kaq shumë e shumë shqiptarë të tjerë e ndjejnë përditë, ku futet gjithmonë e më thellë në xhep taksa e pamëshirshme dhe më e pabesë e inflacionit dhe t’jua marrë si era fuqinë e tyre blerëse duke i bërë të kthehen gjithmonë e më duarbosh nga pazari edhe pse Saliu u thotë u rriti rrogën dhe pensionin.

Këto janë pyetjet të cilat duhet ti përgjigjet kryeministri i një vendi, sepse kryeministri i një vendi që funksionin nuk është drejtor komunaleje dhe qeveria nuk është ndërmarrje komunale, siç e ka katandisur Saliu. Për të prerë shiritat elektoralë, për të gënjyer popullin, me premtime e mashtrime e pastaj për të vazhduar të thithë palcën e ekonomisë duke e drejtuar në oborrin e familjes e të pushtetit të vet. Atyre që jetojnë sot më keq se dje, socialistë apo demokratë qofshin, njerëz të zakonshëm të Vlorës dhe të gjithë këtij vendi i them të mos dyshojnë për asnjë sekondë se e keqja që jua merr lekët si era kur dalin në pazar apo duan të mbarojnë një punë dhe kthehen pastaj duarbosh e më të varfër në shtëpi i ka rrënjët tek moskokëçarja përbuzëse e një pushteti që jua ka vjedhur votën. Një pushteti që tallet ashtu siç tallet Saliu duke folur për moralin dhe për qytetarin e ndërkohë duke bërë thjesht dhe vetëm pushtetarin. Pushtetarin abuziv, shpërdorues të parave të popullit, të pasurive të popullit, të të ardhmes së popullit të vet.

Të dashur miq. Vota e 8 majit është mundësia që çdo shqiptar i zakonshëm, çdo njeri i mbetur pa përkrahje apo në vështirësi në rrugën e tij, çdo familje e zakonshme e këtij vendi të marrë hakun që i takon duke i thënë Saliut, Kurrë Më. Kurrë më vrasje dhe tortura qytetarësh që demonstrojnë kundër qeverisë. Kurrë më grabitjes së pasurisë së popullit dhe pronash të qytetarëve me ligje antikushtetuese dhe vendime qeverie të paligjshme. Kurrë më një pushtet që mbron kryeministrin, ministrat dhe shërbëtorët e tyre nga drejtësia dhe një drejtësi që nuk i jep qytetarit as të drejtën që i njeh ligji. Kurrë më flakje nga puna të qytetarëve për arsye politike. Kurrë më presion psikologjik mbi nëpunësit, mësuesit, mjekët, policët për tu sjellë si ushtar të partisë në pushtet e për t’ju bindur urdhrave dhe jo ligjit.

E vetmja rrugë është Partia Socialiste dhe Aleanca për të ardhmen. Aleanca me çdo njeri dhe me çdo familje të zakonshme të këtij vendi që do një çek për beben e sapolindur. Një trajtim të veçantë për nënën shtatzënë dhe pas shtatzënisë. Një abetare falas për fëmijën dhe libra dhe fitore pa taksën e kusarisë. Njësoj standarde europiane për çdo nxënës. Një bursë ekselence për djalin dhe vajzën e shkëlqyer në mësime. Një universitet europian prej vërteti që s’prodhon diploma pa vlerë në këmbim të lekëve që thith si piramidë nga kursimet e prindërve që me gjak dhe me djersë, me punë të palodhur dhe me sakrifica dërgojnë të shkollojnë fëmijën e tyre. Një punë për të jetuar denjësisht. Një faturë uji, dritash, ilaçesh pa hile dhe pa peshë të papërballueshme për ekonominë familjare të njerëzve të zakonshëm. Një sistem taksash të drejtë, ku ata që kanë më pak, të paguajnë më pak dhe ata që kanë më shumë të paguajnë më shumë. Një shërbim shëndetësor dinjitoz e të sigurt. E sigurisht një krah të fuqishëm nga shteti në fshat ku toka s’kthen dot më as shpenzimet për naftë. Dhe në fund një qeveri që punon me drejtësi dhe garanton siguri në rrugë, në punë, në jetë. E vetmja rrugë për ti bërë realitet të gjitha këto kërkesa elementare të mohuara në mes të Europës për shumicën e shqiptarëve jemi ne, është Partia Socialiste, është Aleanca për të Ardhmen.

Motra dhe vëllezër,

Këtu në Vlorë jemi pranë detit. Shpëtimi foli për detin dhe unë dua ta mbyll fjalën time duke rifolur për detin. Kjo është një pasuri e jashtëzakonshme që Zoti jua ka dhënë shqiptarëve. E në ndërkohë kemi një det që fle e që duhet ta zgjojmë nga gjumi për ta kthyer në një motor për ekonominë shqiptare. Në një motor për rritjen e mirëqënies së shqiptarëve. Në një motor për zhvillim e për integrim. Në këtë ne jemi të gjithë në një mendje se plani ynë, programi ynë, idetë tona janë ato që i duhen Shqipërisë dhe shqiptarëve. E në ndërkohë që rruga jonë është e qartë, është e drejtë, është e hapur, rruga e tyre është rruga që shkon çdo ditë në të kundër të interesave të kombit, të popullit, të çdo qytetari. Është rruga ku dhe deti i Shqipërisë u bë pre e kusarisë. Është rruga ku pronat dhe pasuritë e përbashkëta që nga nafta nëntokë e deri tek malet mbi kokë janë kthyer në pre e kusarisë dhe e matrapazllëkut. Është rruga ku çdo pronë e çdo qytetari që nuk ka lidhje me oborrin e pushtetit është e kërcënuar nga babëzia e pushtetit. Kjo është rruga e tyre. Kurse rruga jonë është rruga e përbashkët e një aleance të madhe për të ardhmen mes të gjithë atyre që duan të jetojnë në Shqipëri si në mes të Europës, banorë të një vendi të mirëqenë e të begatë, qytetarë të barabartë të Bashkimit Europian.

a.y/NOA

KOMENTE