English

Konferencë Ndërkombëtare për Kosovën në SHBA

Prishtinë, 13 prill, NOA - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot drejtorin e Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, Janusz Bugajski. Në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Republikën e Kosovës dhe në rajon.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi e informoi Bugajskin për konsolidimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës dhe për arritjen e marrëveshjes mes partive politike kosovare për zgjedhjen e presidentit dhe për reformën e domosdoshme të Ligjit Zgjedhor dhe për reformën e zgjedhjes së presidentit drejtpërdrejtë nga populli.

Kryeministri Thaçi theksoi se me këtë marrëveshje është krijuar një klimë pozitive për thellimin e mëtejshëm të reformave të gjithëmbarshme në politikë, ekonomi dhe legjislacion, në funksion të përmbushjes së plotë të standardeve për integrimin e Republikës së Kosovës në institucionet euro-atlantike.

Kryeministri Thaçi në vazhdim theksoi se ky përkushtim institucional dhe politik dëshmon për pjekurinë dhe përgjegjshmërinë e lidershipit kosovar para qytetarëve të vendit dhe para miqve ndërkombëtar, që na kanë ndihmuar në të gjitha proceset e rëndësishme për Kosovën.

Nga ana e tij, drejtori i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, Janusz Bugajski fillimisht ka falënderuar kryeministrin Thaçi për mikpritjen e përzemërt dhe e ka uruar për rizgjedhjen në postin e kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Bugajski e ka vlerësuar lartë përkushtimin e vazhdueshëm të kryeministrit Thaçi dhe përkushtimin e tij institucional për tejkalimin e ngërçit politik dhe arritjen e konsensusit me partnerin e koalicionit dhe me partinë kryesore opozitare për zgjedhjen e presidentit të ri dhe për fillimin e reformës zgjedhore në Kosovë.

Në takim, dy bashkëbiseduesit janë dakorduar që të fillohen angazhimet për organizimin në një të ardhme të afërt të një konference ndërkombëtare në Uashington për rritjen e numrit të njohjeve të reja për shtetin e Kosovës dhe për investimet e reja të huaja në Republikën e Kosovës.

NOA

KOMENTE