English

Kurti: Thaçi beson se është i pazëvendësueshëm, sa 6 zëvendësat nuk do e zëvendësonin

Prishtinë, 13 prill 2011, NOA- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti në një deklaratë për mediat theksoi se Kryeministri i Kosovës i ka gjashtë zëvendës.

“Përmasa e mospranisë së tij ose e pamundësisë së tij pritet të jetë kaq e madhe. Gjashtë të tjerë e zëvendësojnë kur ai s’do të jetë i pranishëm ose s’do të mundë ta ushtrojë funksionin”, deklaroi ai.

Sipas Kurtit, zëvendësit zëvendësojnë, atë që duhet zëvendësuar në rast të mungesës ose pamundësisë, pra, zëvendësohet ai që mungon ose ai që s’mundet.

Ai deklaroi se zëvendësimi është zëvendësim në kushtet e mungesës së pranisë së atij që, për pasojë, duhet zëvendësuar, ose sipas kreut të Vetëvendosjes, zëvendësimi është zëvendësim kur është bërë e pamundur që të funksionojë ai, që për pasojë, duhet zëvendësuar.

Më tej ai u shpreh se, “Zëvendësi mund të lexohet edhe si zë i vendësit. Pra, jo zë i ndërkombëtarit. Zëvendësi si zë i vendësit. Vendësi nuk është vendës. Vendësi është gjithnjë zëvendës. Apo, ndoshta zëvendësi duhet të lexohet si zë i vendit. Natyrisht, jo i vendit si shtet, por i vendit si post. Vendi flet; vendi lëshon zë. Jo ai që është në vend por vendi si i tillë. Zyrtari është zëri i vendit që e ka zënë”.

Kreu i Vetëvendosjes theksoi se, sa më lart që ngjitesh në hierarki aq më i madh është numri i zëvendësve dhe kur zvogëlohet numri i vendeve, rritet numri i zëvendësve.

Kurti theksoi se fakti që Kryeministri i Kosovës i ka gjashtë zëvendës bën që përmasa e mospranisë së tij ose e pamundësisë së tij pritet të jetë kaq e madhe.

Ai theksoi se gjashtë të tjerë e zëvendësojnë kur ai s’do të jetë i pranishëm ose s’do të mund ta ushtrojë funksionin.

“Këta gjashtë zëvendëskryeministra aludojnë që kryeministri ose do të mungojë shpesh, ose ka shumë detyra që duhet t’ia kryejnë të tjerët, ose të dyja këto. Zaten, ka edhe një mundësi tjetër: kryeministri beson që është aq i pazëvendësueshëm saqë vetëm gjashtë zëvendëskryeministra do të mundë ta zëvendësonin atë. E, megjithatë, ka edhe një mundësi krejtësisht tjetër: Kryeministri synon të jetë i pazëvendësueshëm dhe numri kaq i madh i zëvendëskryeministrave është veçse çmimi që ai paguan për këtë aspiratë të tij”, deklaroi Albin Kurti.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje tha se Thaçi e bënë këtë për të mbetur me çdo kush kryeministër, bën zëvendës të tij këdo që sadopak e rrezikon apo kushtëzon.

Ai u shpreh se kryeministri është i gatshëm që pafundësisht të kënaqë ego të të tjerëve përgjatë rrugës së pafund, por të njëjtë të egos së tij.

Sipas tij me zëvendëskryeministrat e shumtë ai ka krijuar një nivel të tretë të pushtetit qeveritar.

“Përveç rrethit të ministrave dhe rrethit të këshilltarëve të tij, ai e ka sajuar edhe këtë rrethin e zëvendësve të tij. Këta zëvendës pa dyshim që gjithherë do të bartin më shumë përgjegjësi sesa që do të marrin pushtet ndonjëherë”, thuhet në deklaratën e Albin Kurtit.

a.y/NOA

KOMENTE