English

Publiku i vë nota qeverisjes së Tiranës dhe vendos prioritetet për drejtuesit e ardhshëm

Tiranë, 13 Prill 2011, NOA- Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave, të Rinjve dhe Minoriteteve në Politikë, Qendra e Aleancës Gjinore për Zhvillim dhe Shoqata për Integrimin e Zonave informale, partnere të UN Women dhe UNDP, që punojnë për arritjen e barazisë gjinore në Shqipëri, prezantuan sot në Tiranë rezultatet e “Vlerësimit të komunitetit për qeverisjen” për rajonin e Tiranës. Kjo nismë zbatohet për herë të parë në Shqipëri dhe ka për qëllim identifikimin dhe prioritizimin e nevojave të komunitetit gra dhe vajza përmes vlerësimit dhe monitorimit të politikave të qeverisjes dhe partive politike në zbatim të kuadrit ligjor mbi arritjen e barazisë gjinore.

“Vlerësimi i Komunitetit për Qeverisjen” është zbatuar gjatë periudhës Shtator 2010 - Shkurt 2011, në qytetin e Tiranës, në Minibashkitë 2, 4, 11, 10, sikurse dhe në zonat Paskuqan, Bathore, Allias, Kodra e Priftit dhe Farkë. Përzgjedhja e minibashkive ka patur si qëllim një mbulim sa më të mirë gjeografik të shtrirjes së popullsisë së Tiranës dhe rrethinat duke patur parasysh edhe specifikat e zonave të periferisë së qytetit, ku kemi kryesisht popullsi të migruar.

Të dhënat e mbledhura bazohen në realizimin e rreth 40 takimeve, ku morën pjesë afro 800 votues dhe votuese, të cilëve iu kërkua të vlerësonin nga 1 (nota më ulët) deri në 5 (nota më e lartë) shërbimet e ofruara nga qeverisja vendore dhe politikat e partive politike në lidhje me pikat e parashtruara në Manifestin e Grave dhe Vajzave, si më poshtë:

- Pjesëmarrje dhe përfaqësim i barabartë politik dhe vendimmarrës;

- Politikat kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave;

- Politikat për përmirësimin e gjendjes ekonomike;

- Politikat për shërbimet sociale, kushtet shëndetësore dhe arsimimin;

Për rrethin e Tiranës, notat më të ulëta në “Vlerësimin e komunitetit për qeverisjen’, i morën këto çështje:

Për qytetin e Tiranës:

- Pjesëmarrja e ulët në vendimmarrjen publike të grave dhe vajzave;

- Mungesa e strukturave për denoncimin e dhunës në familje;

- Mungesa e informimi t mbi njësitë mbështetëse ku duhet të drejtohen gratë dhe vajzat në rast se përjetojnë dhunë;

- Cilësia e ulët e infrastrukturës së kopshteve publike;

- Mungesa e qendrave sociale nëpër lagjet e Tiranës;

- Diskriminim në trajtimin e grave që aplikojnë për ndihmë ekonomike;

- Cilësia e ujit të pijshëm;

- Mungesa e hapësirave të gjelbra;

- Mungesa e këndeve të lojrave për fëmijët;

- Cilësia e ulët e infrastrukturës së shkollave ekzistuese 9-vjeçare, duke mos përballuar fluksin e nxënësve;

- Mungesa e shërbimeve që ndihmojnë formimin profesional të grave të papuna;

- Mungesa e trajtimit të çështjes së strehimit për familjet që jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve (të informohen për çfarë ofrohet nga shteti);

Për zonat në periferi të qytetit të Tiranës:

- Mungesa e çerdheve/kopshteve për fëmijë;

- Mungesa e ujit të pijshëm;

- Mungesa e koshave të plehrave;

- Mungesa e hapësirave të gjelbra dhe qetësuese;

- Ndotja e lumit nga papastërtitë e shumta që sjell uji;

- Cilësia e infrastrukturës rrugore (rrugica të pashtruara me asfalt);

- Mungesa e ndriçimit në rrugë;

- Mungesa e strukturave për denoncimin e dhunës në familje;

- Mbulim i vogël i grave kryefamiljare aplikuese (në nevojë) për ndihmë ekonomike;

- Mungesa e shërbimeve që ndihmojnë formimin profesional të grave të papuna.

Organizatat, të cilat kanë zbatuar “Vlerësimin e komunitetit për qeverisjen” në rajonin e Tiranës vënë re se asnjë prej çështjeve të Manifestit të Vajzave dhe Grave nuk është vlerësuar me më shumë se 3 pikë. Kjo tregon se zbatimi i ligjit si dhe politikat dhe strategjitë për të adresuar nevojat dhe prioritetet e grave dhe vajzave duhet të forcohen edhe më tej.

Metodologjia e zbatimit të “Vlerësimit të komunitetit për qeverisjen” bazohet në një analizë të hollësishme të informacioneve të mbledhura edhe nga qeverisja vendore, që përfshinin të dhëna sasiore mbi buxhetet vendore të vitit të kaluar dhe/ose strategji vendore apo rajonale. Por, puna në terren me komunitetin ashtu edhe me njësitë vendore (minibashki) evidentoi mungesë kompetencash nga këto të fundit për t’i shërbyer komuniteteve sikurse mungesë buxhetesh. Vështirësi të tjera u ndeshën në mbledhjen e informacionit mbi të dhënat sasiore dhe buxhetet e njësive vendore (minibashki) dhe Bashkisë së madhe Tiranë.

Analiza nxori në pah edhe nivelin e transparencës së pushtetit vendor ndaj zgjedhësve dhe shoqërisë civile duke krijuar një pikënisje për të nxitur llogaridhënien e të zgjedhurve ndaj votuesve të tyre dhe për të nisur monitorimin e qeverisjes vendore pas zgjedhjeve. Një rekomandim i rëndësishëm i kësaj nisme lidhet me vazhdimin e zbatimit të procesit të decentralizimit të kompetencave nga Bashkia e Tiranës tek 11 minibashkitë e qytetit të Tiranës, çfarë do të mundësonte edhe ofrimin e shërbimeve të munguara ndaj komunitetit dhe do të rriste cilësinë e tyre.

Ky proces ka bërë të mundur që shoqëria civile në çdo minibashki të ketë një paketë treguesish (bazuar në nevojat parësore) për të monitoruar në të ardhmen, duke i përsëritur edhe për qeverisjen qendrore.

NOA

KOMENTE