English

Rama: Tram-Tirana, shndërron Tiranën në një metropol europian

Tiranë, 13 prill 2011, NOA Update – Gjatë prezantimit të projektit për ndërtimin e tramvajit në kryeqytet kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama deklaroi se projekti Tram-Tirana do të rrisë cilësinë e jetës në kryeqytet dhe mirëqenien. “Projekti është shprehje e zhvillimit të qëndrueshëm që garanton jo thjesht vetëm rritjen e cilësisë së transportit në këtë rast, por rritjen tërësore të cilësisë së jetës në kryeqytet si rritje e mirëqenies ekonomike, sociale, si rritje e cilësisë se të qenit të vetë territorit që ne ndajmë sëbashku, bashkëjetojmë”, theksoi kryebashkiaku Rama, që rikandidon në Tiranë për mandatin e katër në krye të Bashkisë.

Kandidati i “Aleancës për të ardhmen” gjatë prezantimi të Tram-Tiranës në ambientet e Teatrit të Metropolit në qendër të kryeqytetit bëri me dije gjashtë linjat ku do të kalojë Tram-Tirana:

TT1 Universiteti Politeknik – Kombinat

TT2 Universiteti Politeknik-Kampus i Ri Tufinë

TT3 Universiteti Politeknik -Universiteti Kamëz

TT4 Universiteti Politeknik - Parku RajPaskuqan

TT5 Tiranë-Aeroporti Rinas

TT6 Tiranë – Durrës

E duke iu referuar fushatës elektorale, kryebashkiaku rama njëherësh kryetari i Partisë Socialiste theksoi se "Ka një dallim radikal qysh në zanafillë mes nesh dhe Saliut”, pasi sikundër tha ai “ne nisemi nga ëndrrat kur projektojmë dhe pastaj mbështetemi tek vetja, tek çka kemi bërë dhe tek të tjerët, çka të tjerët kanë bërë para nesh, në një botë që sot Lavdi Zotit është gjithmonë e më e hapur”.

Duke krahasuar programet për zhvillimin e Tiranës, Rama tha se programet e zhvillimit janë krejt të kundërta pasi “Tendenca e zhvillimit në Tiranë kur ëndrrën e projektojmë hap pas hapi përmes programesh të mirëdetajuara është krejt e kundërt me tendencën e zhvillimit matanë kufirit, që ndan Tiranën me territoret ku sundon ‘salillëku’ si frymë dhe si metodë zhvillimi”.

Ai theksoi se është i dukshëm ndryshimi nga kufiri administrativ mes kryeqytetit që qeveriset nga bashkia dhe territoreve që sundohen nga mungesa e vizionit, nga babëzia, si një formë barbarie zhvillimi.

Rama tha se zhvillimi urban që propozon “Aleanca për të ardhmen” është një zhvillim i integruar, ndërkohë që qeveria sikundër tha ai nuk ka një plan dhe asnjë strategji të zhvillimit urban të territorit të Shqipërisë, ku ai përmendi zhvillimin e transportit si transport të integruar, punëve publike, shërbimeve si dhe rritjen e cilësisë së mjedisit dhe dimensionit kulturor.

Kryebashkiaku bëri me dije se “me të njëjtën sasi parash që është shpenzuar në këto 20 vite dhe posaçërisht në këto 6 vitet e fundit për rrjetin rrugor të Republikës së Shqipërisë, ne sot duhet të kishim një rrjet rrugor tri herë më cilësor dhe një zhvillim ekonomik si pasojë e investimeve në rrjetin rrugor tre herë më të lartë se sa zhvillimi ekonomik që kemi parë”.

Ai nënvizoi se me këto para të harxhuara nga qeveria për infrastrukturën sot sipas tij, do të kishim jo vetëm një zhvillim ekonomik tre herë më të madh, por edhe të qëndrueshëm, ndërkohë që zhvillimi ekonomik që kemi është një zhvillim i atypëratyshëm, jo vetëm paqëndrueshmëri por edhe me pasoja për të nesërmen, me pasoja të drejtpërdrejta për interesin publik në formën e një humbjeje të ndjeshme të investimeve të bëra, të moskthimit të tyre në pasuri e mirëqënie të përbashkët por edhe të interesit privat, si pasojë e kuturisjes në shumë investime, posaçërisht pranë rrjetit të rikonstruktuar rrugor, investime pa asnjë qëndrueshmëri për të ardhmen dhe që pa pikë dyshimi nuk do të kthejnë paratë e investuara tek shumë sipërmarrës”, tha Rama.

Ai shtoi më tej se nuk është e rastit që 6 linjat e tramit prekin 6 pika strategjike për zhvillimin e kryeqytetit, si zhvillim shoqëror, e jo thjesht si një zhvillim territorial.

“4 janë pika fundore që lidhen me Universitetin dhe 2 të tjera janë pika që lidhen me aeroportin dhe me qytetin e Durrësit, sepse për ne rruga e Tiranës është për një metropol shqiptar që do të jetë dhe duhet të jetë nga qendrat më të zhvilluara ekonomike të rajonit të Ballkanit e në Europë ku do të integrohemi jo si qytetarë të dorës së dytë, por për ta pasur këtu në Shqipëri, Europën në zhvillimin e transportit, në zhvillimin e edukimit dhe shërbimeve dhe sigurisht në zhvillimin e kulturës së mjedisit dhe mjedisit të kulturës”, nënvizoi kryebashkiaku Rama gjatë prezantimit të projektit për Tram-Tiranën.

mit/NOA

KOMENTE