“Prandaj 8 maji është mundësia që duke rimarrë në dorë votën njerëzit të rifitojnë fuqinë magjike që ka demokracia për të ndryshuar qeverinë që nuk ju shërben njerëzve dhe për ti dhënë mundësi mirëqeverisjes përmes votës. Në 8 maj është mundësia që secili të marrë hakun që i takon duke i thënë Saliut dhe Ilirit kurrë më”...
Nga Edi Rama*
Fadil Nasufi është Berati që ne duam, tradicional, derëhapur, fjalë mirë dhe i papërtuar. Ky është Berati dhe PS është e vetmja rrugë për Beratin. Aleanca për të Ardhmen është e vetmja rrugë për Beratin. Kur e sheh këtë xhevahir të Shqipërisë, por edhe të krejt trashëgimisë kulturore ballkanike dhe madje botërore dhe pastaj lexon shifrat e buxhetit të qeverisë për Beratin nuk ka si të mos ndjehesh keq si qytetarë, si patriot, si njeri. Por edhe kupton plotësisht në çfarë duarsh ka rënë Shqipëria. Shiheni sesi e kanë lënë tërësisht vetëm qytetin dhe bashkinë përballë një barre kombëtare dhe eruopiane, barrën e ruajtjes së këtij xhevahiri që quhet Berat.
Në botën ku jetojmë, në Europën ku jetojmë, në Ballkanin ku jetojmë ka qytete shumë më të vegjël, qytet me shumë më pak vlera të trashëgimisë kulturore se Berati. Por në ato qytete ndjen një kënaqësi të jashtëzakonshme të shkosh dhe sheh sesi bashkia, apo bashkiza jo vetëm që nuk është vetëm por ka pas vetes qeverinë. Ka pas vetes projekte dhe programe që ndihmojnë dhe këto bashki, këto bashkiza, këto qytete të vegjël e pak më të mëdhenj, ose sa Berati, janë jo vetëm të mirëqena ekonomikisht por prodhojnë mirëqenie edhe për ato vende si tërësi. Ndërkohë që këtu në këtë mrekulli të zotit dhe të njeriut Berati shtrihet përmes varfërisë, pamundësisë, braktisjes sociale dhe pamundësive të njerëzve të tij për të jetuar të mirëqenë ashtu siç ju takon, në këtë xhevahir. Në këtë xhevahir i cili ka nevojë të dal në dritë, ka nevojë të pastrohet nga pluhurat e indiferencës së shtetit. Ka nevojë të zhvillohet në gjurmët e traditës më të mirë, të vendeve të ngjashme në Ballkan e Europë. Në këtë aspekt puna e Bashkisë së Beratit ka qenë heroike, por tërësisht e pamjaftueshme për ta përballuar e vetme barrën e jashtëzakonshme të ringritjes së këtij qyteti dhe të daljes së tij në dritë. Duke vlerësuar me investime, duke vlerësuar me përkushtim e pasion çdo dritare të tij, duke vlerësuar me vizion e me këmbëngule çdo rrugë e rrugicë të tij. Duke vlerësuar çdo aspektet të tij natyror e kulturor, kjo është rruga jonë e këtë do të bëjmë ne për Beratin.
Të gjithë ju e keni parë sesi dora e një njeriu pasionant, e një individi e ka transformuar një shtëpi këtu afër në një hotel i cili është i klasit të parë, jo vetëm për në Berat e Shqipëri por edhe për në Ballkan e Europë. E pra ai është një shembull për atë që mund të bëhet me çdo shtëpi Beratase. Me çdo shtëpi të qytetit të vjetër, ku me mbështetjen e qeverisë dhe me vizionin, projektet, idetë që ka bashkia dhe Fadil Nasufi mund të kryhet një transformim i atillë që të shumëfishohet ekonomikisht e ardhmja jo vetëm për qytetin por edhe për çdo familje të zakonshme beratase. Që të kthehet ky qytet në një pikë referimi për zhvillimin ekonomik si zhvillim i qëndrueshëm, duke u bazuar tek vlerat e mëdha që ka krijuar dora e njeriut por edhe tek të gjitha ato të mira që i ka dhënë zoti Beratit dhe gjithë kësaj zone. Shikojeni lumin, lumi Beratit është një pasuri. Por është një pasuri e lënë tërësisht në mëshirë të fatit. Është një pasuri tërësisht e braktisur, e cila nga një burim mirëqenieje është kthyer shpesh në një burim problemesh dhe fatkeqësish, duke dalë shpesh herë nga shtrati, duke dëmtuar prona, duke dëmtuar ekonominë familjare apo dhe ekonominë e qytetit. Ndërkohë që ky lum me një projekt të mbështetur në një vizion të integruar zhvillimi të këtij qyteti dhe qarku mund dhe do të kthehet në një nga burimet më të rëndësishme të tërheqjes së vizitorëve, turistëve dhe njëkohësisht të rritjes ekonomike të qytetit të Beratit dhe të gjithë qarkut të Beratit.
Berati nuk është thjesht dhe vetëm qyteti. Berati është edhe arti që ndryn brenda prej të shkuarës, i cili ka mbetur aty brenda i mbyllur në një muze mesjetar të lënë tërësisht pas dore. Ndërkohë që nxjerrja në dritë e gjithë pasurisë artistike të këtij vendi, të këtij kombi që e ka zanafillën këtu në këtë qytet, do ti jepte një tjetër përmasë të jashtëzakonshme atraksioni për turizmin dhe njëkohësisht rritje për ekonominë e qytetit. Në vitin 1937 turistët e huaj shkonin me biçikletë nga Berati në Gjirokastër, ndërkohë që sot si Gjirokastra si Berati, dy xhevahire të trashëgimisë kulturore, jo vetëm shqitpare por ballkanike europiane e botërore, janë lënë nga shteti tërësisht në harresë dhe mbahen në këmbë vetëm me stërmundimin e bashkisë dhe me njëmijë e një sakrificat e kryetarëve tanë të bashkisë.
Ja pse vota e 8 majit është një votë politike, jo thjeshtë për të ndarë rrugën e Saliut dhe rrugën tonë në kuptimin e demokracisë, të drejtësisë dhe të ekonomisë por për të ndarë rrugën e Saliut me rrugën tonë edhe në kuptimin e trajtimit të qyteteve tona. Trajtim që ka nevojë për dorën e bashkisë dhe për mbështetjen e fuqishme të qeverisë. Të një qeverie e cila duhet të ketë sy për të parë e për të vlerësuar pasuritë e paçmueshme të gjithë këtij vendi. Pasuri që na i ka dhënë zoti bujarisht dhe pasuri që i ka krijuar njeriu me vite e me shekuj, ashtu siç është këtu para syve tanë, në Berat. E gjithë kjo pasuri që po shkon duke humbur për shkak të mungesës së vëmendjes, për shkak të mungesës së ndjeshmërisë, për shkak të shurdhërisë dhe verbërisë së një pushtetit të vjedhur për të vjedhur Shqipërinë dhe jo të një pushteti të zgjedhur për të nxjerrë në dritë Shqipërinë. Mjafton të ngjitesh në kalanë e Beratit, në atë kala që duhet të ishte një platformë zhvillimi ekonomik. Që duhet të ishte një nga burimet më të fuqishme të rritjes ekonomike të qytetit, që duhet të prodhonte punë, që duhet të prodhonte mirëqenie për shumë e shumë familje beratase dhe të kuptosh se në ç’duar ka rënë Shqipëria. Dhe të kuptosh se në ç’duar është qeveria dhe të kuptosh se çfarë shpërdorimi i jashtëzakonshëm bëhet me buxhetin e shtetit dhe sesi Saliu se ka haberin e misionit dhe detyrës së tij, po është thjeshtë një drejtor injorant komunaleje, që e ka kthyer qeverinë në një ndërmarrje komunale, duke shtruar rrugë sa më një fshat e me një tjetër, të cilat janë detyra të të komunave dhe për të cilat mund të krenohen vetëm kryetarët e komunave. Jo kryeministri i vendit që bredh sa në një fshat në një tjetër, e thotë 300 m rrugë këtu, 400 m atje, një çezëm këtu mbrapa, një kthesë aty përpara. Ky nuk është kryeministër. Ky është thjeshtë dhe vetëm një drejtorë komunaleje të cilin ne nuk do ta emëronim kurrë në Bashkinë e Tiranës dhe jam i sigurt se dhe Fadili nuk do ja besonte komunalen e Beratit.
Kanionet e lumit të Osumit që përveçse një bukuri natyrore e prekur nga shumë pak njerëz, ato kanione sot për sot nuk janë asgjë tjetër, ndërkohë që mund të jenë dhe do të jenë nesër një tjetër burim mirëqenieje, një tjetër burim zhvillimi, një tjetër burim i transformimit të gjithë vizionit për turizmin, nga një vizion i ngurtë, nga një vizion i cungët, nga një vizion i ngrirë që numëron për turistë çdo pasagjer që hyn e del në Shqipëri, në një vizion tërësisht të ndryshëm, që do ti japë Shqipërisë mundësinë të zhvillohet në një mënyrë tërësisht tjetër dhe Beratit mundësinë të ringrihet ekonomikisht, duke vënë në shfrytëzim këto pasuri të mëdha natyrore dhe kulturore, që sot vazhdojnë flenë nën pluhurin e braktisjes së qeverisë.
Ky është ndryshimi i madh motra dhe vëllezër mes rrugës sonë dhe rrugës së tyre. Rruga e tyre është rruga e një injorance të verbër, është rruga e dhunës antikushtetuese. E ushtrimit të paligjshëm të forcës dhe mbi të gjitha e pamundësisë për ta çuar këtë vend përpara në një rrugë mirëqenieje dhe zhvillimi. Ndërkohë që rruga jonë është rruga e mirëqeverisjes për komunitetin. Është rruga e ushtrimit të mandatit me forcën e pasionit të ndryshimit dhe mbi të gjitha është rruga e njërzillëkut, e qytetarisë, e shqetësimit për të nxjerrë në dritë punë të mira. Rruga e tyre çon në fashizëm, në dhunë e në frikë, në regres shoqëror dhe në rrënim ekonomik. Shiheni Beratin, shiheni sesi e kanë braktisur. Shiheni sesi e kanë lënë në mëshirë të fatit pa asnjë mbështetje. Ndërkohë që asnjë qeveri demokratike në botë nuk do ta linte kurrë vetëm bashkinë e një qyteti të tillë. Dhe ndërkohë që asnjë bashki në një qytet si ky nuk do të vuante kurrë nga ato që vuan bashkia e Beratit, po do të ishte një bashki e pasur, e shumë mbështetur, ku do të jetonin njerëz të mirëqenë, njerëz që do të kishin punë, njerëz që do të kishin shkollë, njerëz që do të kishin shpresë dhe mbi të gjitha që do të kishin privilegjin e të jetuarit në një qytet të tillë. Rruga e tyre nuk ka të ardhme për qytetarët sepse ka vetëm korsi për pushtetarët. Rruga jonë shkon më larg se mandati ynë dhe në korsitë e saj garohet çdo ditë për të shkuar më larg duke ecur më shpejt, jo duke penguar të tjerët që të ecin. Unë sot jam shumë krenar që jam këtu për tu bërë pjesë e përpjekjes së përbashkët me Fadilin dhe me gjithë kandidatët e tjerë që është një përpjekje që në 8 maj do të kurorëzohet me një fitore të madhe, por do ti hapë rrugë një transformimi rrënjësor për Beratin dhe për gjithë Shqipërinë duke ju krijuar kushtet që të kemi një bashki me vizion europian e të gatshme këtu në Berat dhe pastaj nesër një qeveri që do të jetë një mbështetje e pakursyer për Beratin, që ta heqë pluhurin e braktisjes shumëvjeçare, që do ta heq baltën e indiferencës shumëvjeçare. Që do ta heqë perden e injorancës shumëvjeçare në pushtet, që e ka lënë Beratin pa asnjë mbështetje. Ndërkohë që ngado që të kthejmë sytë ky qytet të tregon vetë se çfarë mundësish të jashtëzakonshme ka për tu kthyer në një vend të mirëqenë. Se çfarë mundësish të jashtëzakonshme ka për tu kthyer në vendin ku çdokush të ketë një punë. Ku çdokush të ketë mundësi për të jetuar me punën e tij të ndershme dhe ku çdokush të jetë krenar që është qytetar i Beratit, jo thjesht për histori por edhe për atë që jeton në të përditshmen e vet dhe për atë që bën gati për fëmijët dhe për gjeneratat që vijnë.
Motra dhe vëllezër,
Ne jemi e vetmja rrugë sepse rruga tjetër është rruga qorre e kusarisë dhe e matrapazllëkut. Është rruga qorre e shpenzimeve marramendëse të parave të shqiptarëve për interesa politike, për interesa elektorale, për interesa korruptive. Në rrugën e tyre ata i bashkon kusaria që futi në një shtrat Saliun dhe Ilirin. Ne na bashkon në rrugën tonë qytetaria që na ka sjellë këtu ju, mua, Fadilin. Ne jemi e vetmja rrugë që asnjë shqiptar që është në rregull me ligjin të mos i friket qeverisë për shkak të mendimeve të tij, të sjelljeve të tij, të zgjedhjeve të tij. E pra motra dhe vëllezër sot është dita për të ngritur pyetjet rrënqethëse që kanë ardhur si rezultat i keqqeverisjes në rrugën e tyre të vjedhjes së votave për të vjedhur Shqipërinë dhe të vrasjeve për të vazhduar të vjedhin. Sa shumë shqiptarë të rinj e të moshuar ndihen sot më të pafuqishëm përballë shtrenjtimit të jetesës dhe kufizimit të mundësive për të marrë frymë normalisht deri në fundin e muajit. Sa shumë shqiptarë kanë humbur punën dhe e humbin atë përditë. Sa shumë e shumë shqiptarë e ndjejnë përditë taksën e pamëshirshme dhe të pabesë të inflacionit dhe t’jua marri lekët si era nga xhepi.
Kur qeveria të vjedh votën, ta merr votën edhe kur ti s’ja jep, atëherë të merr lekët, të merr shpirtin, madhe të merr edhe jetën. Prandaj 8 maji është mundësia që duke rimarrë në dorë votën njerëzit të rifitojnë fuqinë magjike që ka demokracia për të ndryshuar qeverinë që nuk ju shërben njerëzve dhe për ti dhënë mundësi mirëqeverisjes përmes votës. Në 8 maj është mundësia që secili të marrë hakun që i takon duke i thënë Saliut dhe Ilirit Kurrë Më. 8 maji motra dhe vëllezër është dita e një aleance të madhe para kutive të votimit. E vetmja rrugë është një aleancë e madhe për të ardhmen me çdo njeri dhe familje të zakonshme kudoqoftë në Berat e në gjithë vendin që do një çek për beben e sapolindur. Që do një trajtim të veçantë për nënën shtatzënë dhe pas shtatzënisë. Që do një abetare falas për fëmijën. Libra dhe fletore pa taksën e kusarisë. Që do një punë për të jetuar denjësisht, një faturë uji, dritash, ilaçesh pa hile dhe pa peshë të papërballueshme për ekonominë familjare. Për çdo njeri që do një sistem taksash të drejtë ku ata që fitojnë më pak paguajnë më pak dhe ata që fitojnë më shumë paguajnë më shumë. Për çdo njeri që kërkon shërbim shëndetësor dinjitoz dhe të sigurt. Për çdo njeri që ka nevojë për një krah të fuqishëm nga shteti në fshat ku sot toka nuk kthen më as vetë shpenzimet e naftës. Për çdo njeri që do një qeveri që punon me drejtësi, përkushtim, pasion. Kjo është e vetmja rrugë. E vetmja rrugë për ti bërë realitet të gjitha këto kërkesa elementare njerëzore të mohuara në mes të europës për shumicën e shqiptarëve.
NOA
*Fjala e kryetarit të PS në hapjen e fushatës elektorale në Berat.