English

Arritjet e Shqipërisë pas formimit të shtetit të pavarur

Nga Bamir Topi*

Kam kënaqësinë e veçantë të marr pjesë në punimet e Forumit të 14-të Ekonomik Euroaziatik, organizuar nga Fondacioni “Marmara”, si dhe të falënderoj Presidentin e këtij institucioni prestigjioz, Akkan Suver për ftesën dhe mikpritjen e ngrohtë e miqësore në qytetin e bukur të Stambollit, simbol i qytetërimit euro-aziatik.

Që në fillim, dëshiroj të theksoj se, marrëdhëniet shumë të mira midis Shqipërisë dhe Turqisë, në bazë të të cilave qëndron miqësia dhe lidhjet tradicionale e kulturore midis dy popujve tanë, janë forcuar e zhvilluar në vijimësi, në fusha shumëplanëshe, sa politiko-diplomatike, aq edhe ekonomike e investuese. Turqia ka qenë dhe mbetet një partner i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë, në rajon e më gjerë, prandaj forcimi, zgjerimi dhe thellimi i pandalshëm i marrëdhënieve të shkëlqyera me Turqinë mike e aleate në NATO, në kushtet e reja të angazhimeve të përbashkëta të sigurisë, paqes dhe të zhvillimit ekonomik, mbetet një nga prioritetet e rëndësishme të politikës së jashtme të shtetit shqiptar. Shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë kanë gjetur gjithmonë te shteti, qeveria dhe populli turk një mik të madh e të sinqertë, që i është gjendur gjithmonë pranë, në situata të vështira dhe në momente historike të popullit dhe të kombit shqiptar, si në rastet e fatkeqësive natyrore, ashtu dhe të situatave politike, në veçanti të njohjes së Pavarësisë së Kosovës, si edhe në mbështetjen e proceseve integruese euroatlantike. Në një botë që globalizohet përditë e më shumë, takime të tilla, si Forumi i Marmarasë, dëshmojnë domosdoshmërinë e bashkëpunimit, veçanërisht mbi çështjet energjetike në rajonin e Detit të Zi e më gjerë, si elementë kyç për paqen dhe sigurinë rajonale. Rëndësia e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjes së investimeve, hartimi i projekteve të reja energjetike, ndërthurja e krizave ekonomike me politikën, përballja me terrorizmin, etj., përbëjnë sot sfida të përbashkëta të vendeve tona. Shqipëria, për arsye të rrethanave historike, vendi më i varfër i asaj kohe në Ballkan dhe në Evropë, në vitin 1912 kur fitoi pavarësinë e saj ishte një vend me ekonomi primitive, me një zhvillim minimal të arsimit, shëndetësisë, transportit, etj., dhe pa përvojë në drejtimin shtetëror. Shqipëria pati një ekzistencë të brishtë deri në 1939, kur u përfshi nga pushtimet e Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa gjatë viteve 1944 – 1990, ajo ishte një shtet autarkik, pjesë e një sistemi të dështuar socialist, që u hap me fillimin e proceseve demokratike të viteve 1990-të. Sot, Shqipëria është e angazhuar t’i bashkohet BE-së për të cilën ka një Marrëveshje të Stabilizim-Asociimit që prej vitit 2009. Shqipëria është anëtare e NATO-s, gjithashtu e OSBE-së, Bankës Botërore, FMN-së, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik të Detit të Zi, etj. Pas një periudhe staniacioni të zhvillimit ekonomik, Shqipëria këto dhjetë vitet e fundit ka regjistruar një rritje ekonomike mesatare vjetore 6 për qind; ka një inflacion të shënjestruar në kufijtë 3 plus minus 1 për qind; ka një kurs këmbimi fleksibël; ka një rrjet bankar tregtar të zhvilluar, ku operojnë 16 banka private, me 511 degë në mbarë Shqipërinë dhe një rrjet sigurimesh, të gjitha këto pronësi tërësisht, ose pjesërisht të kapitalit të huaj. Shqipëria sot, përveç telefonisë së palëvizshme, ofron shërbimet e komunikimit të lëvizshëm që mbulojnë gjithë territorin e saj me telefona celularë me bandë të trefishtë, të cilët mund të përdoren me sistemet roaming. Shqipëria sot, ka një rrjet rrugor që afron me standardet ndërkombëtare, që zgjerohet në çdo vit dhe priret t’i bashkohet rrjetit ballkanik të transportit për të bërë më të lehtë rrjedhën e njerëzve, mallrave dhe kapitalit ndërmjet vendeve të Ballkanit, si dhe ndërmjet atyre të Evropës dhe Azisë. I gjithë rrjeti rrugor dhe hekurudhor lidhet me pjesën perëndimore të Shqipërisë, ku ndodhen portet detare të Durrësit, Vlorës dhe Shëngjinit në detin Adriatik dhe ai i Sarandës në detin Jon. Porti i Durrësit është porti detar kryesor i Shqipërisë me një kapacitet prej 12 anijesh në ditë, rreth 30 kilometra larg kryeqytetit, Tiranë. Në gjirin e këtij porti mund të akomodohen anije të mëdha të një kapaciteti prej 4 000 tonë. Edhe pse privatizimi i ndërmarrjeve të mëdha ka mbaruar në pjesën më të madhe të tij, disa sektorë ende ofrojnë mundësi të mira për fitime afatgjatë që rrjedhin nga investimi i rritjes së shpejtë, i një ekonomie me kosto të ulët, me burime të mëdha natyrore, si nafta, gazi natyror, qymyri, bauksitet, kromi, bakri, hekuri, nikeli, si dhe energjia hidroenergjetike, diellore dhe ajo e erës. Shqipëria nuk është bërë ende një destinacion madhor i turizmit, që rivalizon me vendet fqinjë, si Greqia dhe Kroacia. Megjithatë, Shqipëria karakterizohet nga një numër shumë i madh sitesh arkeologjike të qytetërimit iliro-romak, gjurmëve dhe kështjellave antike dhe mesjetare, parqe kombëtare, male dhe rezervate natyrore të mbrojtura, si dhe një bregdet prej 450 kilometrash. Shqipëria është e pasur me një varietet liqenesh të origjinave të ndryshme të cilët përbëjnë jo vetëm objekte natyrore të rëndësishme, por gjithashtu edhe një sektor më vete për zhvillimin e turizmit. Investimi i Huaj Direkt në vitin 2009 arriti shumën totale prej 665 milion euro, ose 7 për qind më shumë se në vitin 2008, si rezultat i privatizimeve madhore në fushën e energjisë dhe telekomunikacioneve, duke pasqyruar kështu një kapërcim të madh krahasuar me vitet e mëparshme. Vitet e fundit, një zhvillim i rëndësishëm që shënjestron investitorët, ka qenë Ligji mbi Koncesionet, i cili synon krijimin e një rrjeti të favorshëm për promovimin dhe lehtësimin e vënies në jetë të projekteve të financuara privatisht në zhvillimin e infrastrukturës dhe fushave të shërbimit publik. Me qëllim që ekonomitë e vendeve tona të begatojnë duke konsideruar zhvillimet e përmendura më lart, do të desha të theksoj, edhe një herë, rëndësinë e veçantë që ka në këtë kohë bashkëpunimi ekonomik euro-aziatik, në kontrast me trazirat politike dhe mungesën e rregullit në rajone të tjera të globit. Në 6 vitet e fundit, ekonomia botërore është rritur më shpejt se çdo herë tjetër në krahasim me 45 vitet e fundit. Vetëm në 25 vitet e fundit kanë dalë nga varfëria më shumë së 350 milionë njerëz, ose shumë më tepër se sa në 100 vitet e fundit. Në 5 vitet e fundit, mesatarja botërore e të ardhurave për frymë është rritur më shpejt se në çdo pikë të historisë së shkruar. Ky fakt na bën optimistë që të punojmë akoma më shumë për të rritur mirëqenien e popujve tanë dhe sigurimin paqes kudo në botë. Aktualisht Republika e Shqipërisë është një faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Vendi ynë, tashmë si një anëtar aktiv i Aleancës euroatlantike, ka marrëdhënie shumë të mira me të gjithë vendet fqinj të saj dhe në veçanti me ato vende ku shqiptarët janë ura solide të miqësisë, si në Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, etj. Tashmë vendet tona të Ballkanit Perëndimor kanë flakur tutje epitetin e përçmimit që kanë pasur në shekuj si “fuçi baruti”. Këto vende tani të ardhmen e tyre e shikojnë tek zhvillimi i gjithanshëm i marrëdhënieve miqësore dypalëshe e shumëpalëshe, si dhe tek integrimi euroatlantik, si rruga e vetme e sigurisë, paqes dhe përparimit të këtij rajoni.

* Fjala e Presidentit Bamir Topi, gjatë Forumit të 14-të Ekonomik Euroaziatik, organizuar nga Fondacioni “Marmara”

KOMENTE