Tiranë, 14 prill 2011, NOA – Barazia gjinore dhe masat e veçanta që duhet të marrë Policia e Shtetit për arritjen e saj ishin lajtmotiv i një aktiviteti të Policisë së Shtetit, ku merrte pjesë edhe zëvendësministrja e Brendshme Iva Zajmi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit e përfaqësues nga institucione të ndryshme shtetërore si dhe nga Organizata ndërkombëtare dhe vendase. Zëvendësministrja Zajmi theksoi se Policia e Shtetit është e interesuar të vendosë një mjedis të shanseve dhe mundësive të barabarta për të dyja gjinitë në këtë formacion.
Ajo tha se janë hedhur hapat e parë për arritjen e saj duke nënvizuar se duhen planifikuar hapa të tjerë të fuqishëm.
“Ngritja dhe funksionimi pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në Policinë e Shtetit e një funksioni të ri që ka të bëjë me përfaqësimin më të mirë gjinor të grave, është një ndryshim i kohëve të fundit. Detyra e këtij seksioni është që të gjejë forma të reja të afrimit të grave në polici, t’i promovojë ato në nivelet më të larta të drejtimit të strukturave dhe të këshillojë mbi orientimin e grave që janë ndërkohë të punësuara, sesi të mbajnë vendin e punës, si të ngrihen në detyrë, se si të përfitojnë trajnime më të mira, etj”, tha Zajmi.
Ajo bëri me dije se numri i grave në Policinë e Shtetit është ngritur nga viti në vit, por është larg niveleve të dëshiruara.
Sipas saj shifrat e përfaqësimit të grave në polici sot shënojnë 9.5 %, ndërsa në terma numerikë, nga 913 gra që punojnë në Policinë e Shtetit, vetëm 530 janë me gradë policore dhe ky është një tregues jo i kënaqshëm.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj tha më tej se Policia e Shtetit aspiron të arrijë një model bashkëkohor policimi dhe gjithëpërfshirja e bën organizatën më konkurruese brenda dhe jashtë vendit.
“Kjo jo vetëm në kuptimin e përkatësisë etnike, racës, moshës apo gjinisë, por në kuptimin e gjerë të aftësive, eksperiencave dhe personaliteteve. Diversiteti është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Policisë së Shtetit. Një polici me përfaqësim të të gjitha grupeve shoqërore, etnike, raciale apo kulturore do të rriste ndjeshëm besimin tek qytetarët, transparencën dhe cilësinë e shërbimit që ajo ofron. Policia e Shtetit kërkon që të jetë ndër institucionet pararojë të promovimit të Diversitetit dhe Barazisë Gjinore”, tha drejtori Burgaj.
Ai theksoi se kjo i detyron punonjësit e Policisë së Shtetit, të përkrahin vlerat e diversitetit gjinor dhe krijimin e mundësive të barabarta, për të gjithë ata që duan të bëjnë pjesë e radhëve të Policisë së Shtetit.
Në fund të aktiviteti u nënshkrua edhe deklarata mbi diversitetin në Policinë e Shtetit e firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, që përfshin edhe masat e veçanta e të përkohshme për arritjen e barazisë gjinore në polici.
mit/NOA