Tiranë, 14 prill 2011, NOA- Kandidati i maxhorancës për bashkinë e Tiranës Lulzim Basha gjatë ditës së sotme u ndal të takonte banorët dhe sipërmarrësit e njësisë bashkiake nr.4 në kryeqytet.
Ai u garantoi atyre se biznesi do të njohë lehtësira si dhe ulje të taksave. Më tej Basha bëri të ditur se parashikon në programin e tij të punësimit, përmirësim të infrastrukturës dhe klimës së biznesit, lehtësira fiskale dhe thithje të investimeve të huaja.
Sakaq kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin”, tha se, “Vende pune, kushte më të mira pune, paga më të larta dhe trajtim më të mirë. Që ta bëjmë këtë ne duhet që Tiranën ta kthejmë në një qytet që e lakmon biznesin jo në një qytet ku largohet biznesi. Të përmirësojmë klimën e biznesit duke ulur taksat, të përmirësohet klima e biznesit duke krijuar mundësi për parqe teknologjike ku jo vetëm punohet me një regjim fiskal të favorshëm, por edhe transferohet përvoja e punës edhe tek brezi i ri. Këto inkubatorë do të jenë pa taksa deri në 3 vjet. Gjithashtu, unë do të heq taksat për të gjitha bizneset që punësojnë 50 ose më shumë punonjës për 4 deri në 5 vjet”.
Sakaq ai ripërsëriti premtimin e tij për hapjen e 6 mijë vendeve të reja pune.
Bashkia e Tiranës, tha Basha, do të angazhohet dhe konkurrojë për thithjen e investimeve të huaja duke e bërë kryeqytetin tonë një vend atraktiv për biznesin.
Ndërkaq qytetarët i kanë shprehur Bashës pakënaqësitë lidhur me investimet e kryebashkiakut Rama duke thënë se, puna e tij është vetëm fasadë dhe në brendësi të lagjeve nuk është bërë asnjë investim.
Lidhur me këtë shqetësime Basha tha se, “Problemi është se taksat paguhen dhe shërbimet nuk jepen. Taksat paguhen dhe na tregohet një rrugë që është e asfaltuar tre herë. Kurse këtu ka 20 vjet që nuk ka vënë dorë njeri. Unë ju them që kështu nuk mund të vazhdohet. Ne kësaj mënyrë të vepruarit, apo të mos vepruarit duhet ti japim fund. Ne duhet ti rikthejmë sytë nga lagjet tona, nga pragu i shtëpive të qytetarëve dhe ta fillojmë aty”.
a.y/NOA