Nga Gëzim Llojdia*
1. Betoni është pjesë e kahershme dhe një dëshirë për të mbytur, që në fillesë gjelbërimin. Betoni është pjesë e pandashme e bregut shqiptar. Betoni përbën edhe ëndrrën më të madhe të çdo kryebashkiaku, sapo ai merr shiritin. Ai lëviz në rivierë, fotografon dhe me pas betonin e ngre mal në këmbë. Quhet shumëkatësh, prej kohe dhe tash janë kthyer në hotele, pallate dhe shërbime të tjera.
2. Dikur, që nga sheshi i Flamurit shikoje detin në Skelë të Vlorës. Shumë pamje nga e shkuara paraqesin atë foto ku deti dukej si në pëllëmbë të dorës. Pyetja kurioze e beftë dhe hokatare është: “Po deti ku është? Deti është përtej fasadës së këtyre shumë-katëshave. Deti u kurthua. Një herë e një kohë ishte bërë një legjendë, që qarkullonte për bajlozin e detit. Siç duket për t’u ruajtur prej tij u shpik betoni. U ngritën mure betoni, që më pas u veshën me hekur e xham për t’u rikthyer në fortifikime shërbimesh. Ku është deti? Deti është përtej ëndrrave tona? Deti është përtej dëshirës dhe aspiratës tonë për të qenë pranë. Çfarë na ndan nga deti ynë? Distanca, që bëhet shpesh lartësi e pakalueshme. Në sytë tanë është vështirë të lexosh pamje nga deti po nuk iu largove kurthimit të betonimit. Përse të rrethuan o deti ynë? Nuk është një ligjërim apo vajtim lebërish. Është një thirrje, është një klithmë! Të larguan nga njerëzia, sepse në mes hyri betonamia. Ngushtësia. Do të lexonte dëshminë. Ftohtë. Të ftohtin do ta ndiesh, do të thotë. Kur simfonia e detit më nuk dëgjohet kaq pranë njerëzisë, Ku je deti im? Një varg poeti fillestar, është zë kaq i largët dhe i vetmuar.
3. Ku je o det? Ka kohë, qëkur ai gjendet përtej dëshirave tona, por jo të kryebashkiakëve të majtë socialistë. Limiti kohor rrëzon 10 vjet, që kur betoni hyri si pykë në bregdetin tonë, që shërbente dhe si urë lidhje mes parasë, korrupsionit socialist, dhe marifetit për ta mbajtur larg syve. O paraja o deti, kryebashkiakët socialistë zgjodhën të parën. Thuhet se me paratë e betonit janë blerë vila në Amerikë, sa e vërtetë, kështu thonë zërat. Në sytë e detit, vërtet lexoje: ishte vështirë, të gjeje një hapësirë ndër udhëkalimet për tek deti.
4. Do ta kërkojmë detin? Sigurisht por do ta gjejmë përtej betonimit të tij. Një fre, që kryebashkiakët socialistë ia instaluan me qëllim, sepse aty paraja buronte lumë. Betonim është kjo pamja, që lexon aktualisht në bregun e Vlorës. Por në qiellin e shpirtit tim, nuk janë zhdukur retë e bardha. Ç’të shpëtojmë më? A ka më vend për të shpëtuar nga betonimi? Ajo që ka shpëtuar është vetëm në fotografit e kohëve të shkuara në kujtesën tonë dhe në dëshirën e ndonjë njeriu të mirë. A ka fajtorë dhe kush e paguan këtë faturë? Fatura për këtë i përket PS të Vlorës, që me njerëzit e zgjedhur për qeverisjen e bashkisë së Vlorës për një periudhë 10-vjeçare e solli këtë katastrofë.
5. A ka organe hetimi që të hetojnë betonin e bregut të Vlorës, sepse autorët janë kryebashkiakët socialistë? A ka këshill bashkiak i cili duhet të hetojë masakrën e bregdetit të Vlorës, sepse autorët janë gjallë dhe i kemi këtu pranë. A ka apel për votuesit e këtij qyteti: “shihni çfarë bënë ata që ju votuat për 10 vjet në Vlorë?
*Anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve