Morinë, 14 prill 2011, NOA – Ekstradohet drejt Kosovës shtetasi shqiptar nga Kosova Shiqeri Idrizi, i akuzuar për vrasje. Drejtoria e Policisë së Shtetit bën me dije se ekstradimi për në Kosovë i 26-vjeçarit Idrizi u krye sot në orën 12:00 përmes pikës kufitare të Morinës.
Ndaj Shiqeri Shaban Idrizit, i lindur në Lubishte të Kosovës është lëshuar urdhëri i arrestit në 25.08.2010, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Gjilanit i miratuar edhe nga UNMIK-u në 08.11.2010, për kryerjen e veprave penale të vrasjes dhe mbajtjes së paligjshme të armëve luftarake.
Ka qenë Gjykata e Durrësit që miratoi ekstradimin e Shiqeri Irizit nga Shqipëria drejt Kosovës në 17.03.2011.
Idrizi u arrestua në 25 dhjetor të vitit të shkuar në Portin e Durrësit falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol UNMIK-un në Kosovë.
mit/NOA