Ersekë, 14 prill 2011, NOA – Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, njëherësh zëvendëskryeministri Edmond Haxhinasto në vijim të fushatës elektorale prezantoi sot kandidaten e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” në Ersekë, Zhaneta Prifti. Zëvendëskryeministri Haxhinasto shprehu optimizmin për fitoren e madhe të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” në zgjedhjet vendore të 8 majit.
Sipas Haxhinastos, kandidatja Prifti do të fitojë, pasi ajo mbështetet nga koalicioni që i dha dritë dhe i hapi rrugët Shqipërisë.
“Është ky koalicion që e vendosi Shqipërinë në një vend të rëndësishëm dhe partnere për vendet e rajonit, Europës dhe botës”, tha kryediplomati shqiptar.
Haxhinasto tha se kandidatja për Ersekën përfaqëson vlerat më të mira të qytetit.
“Ajo synon me të gjithë forcën e saj, me një synim të vetëm që ajo më 8 maj të jetë fituese, të jetë menaxhere e qytetit të Ersekës. Ajo përfaqëson axhendën e koalicionit për integrim, axhendë e cila konsiston në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Shqipërisë, axhendë, e cila konsiston në rritjen e eksporteve shqiptare, në zhvillimin e gjithanshëm social, është një axhendë që e çon Shqipërinë më afër Evropës, është një axhendë që i çon shqiptarët pa viza në Evropë. Ky është koalicioni që mbështet kandidaten tonë në Ersekë”, nënvizoi Haxhinasto.
Gjatë prezantimit të programit kandidatja e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Zhaneta Prifti ka vlerësuar frymën tepër bashkëpunuese mes shtabeve elektorale të partive në koalicion.
Ajo shpalosi disa nga pikat e programit të saj, ku theksoi nevojën e investimeve që duhen bërë për këtë qytet, investime që sipas saj duhen thithur me projekte konkrete nga pushteti vendor.
“Varfëria është kërcënuesja kryesore e familjes dhe komunitetit tonë. Zhvillimi ekonomik dhe punësimi janë prioritete të luftës sonë. Do mposhtim varfërinë me investime dhe punësim. Qëllimi i programit tonë është kalimi nga faza e mbijetesës në atë të mirëqenies”, tha zonja Prifti.
mit/NOA