Shkodër, 14 prill, NOA – Kapet në flagrancë një 27-vjeçar, tek po dëmtonte për motive të dobëta, xhamat e një automjeti.
Ngjarja konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet e policisë së Shkodrës, sipas të cilave, i ndaluari është Nasir Zagora, 27 vjeç, banues në fshatin Trush të komunës Bërdicë, i dënuar dhe më parë për veprën penale të “Armëmbajtjes pa leje”.
Arrestimi i tij u bë pasi, në orën 1 të natës, është kapur në flagrancë, duke dëmtuar me dashje, për motive të dobëta, xhamat e një automjeti tip Ford Transit, në pronësi të një personi me inicialet B. Gj., mjet ky i cili ka qenë i parkuar në lagjen Perash, të qytetit Shkodër, pikërisht pranë vendit të quajtur shkolla e Ndërtimit.
Nga veprimet para hetimore, rezultoi se 27-vjeçari, ka dëmtuar automjetin në fjalë, me pretekstin se i lartpërmenduri B. Gj., i ka marrë një send personal dhe nuk ia ka kthyer, pretendim ky i cili nuk rezultoi i vërtetë.
Nga ana e policisë u kryen veprimet e para proceduriale dhe materialet në ngarkim të Nasir Zagoras, do t`i kalojnë prokurorisë së Shkodrës për veprën penale të “Shkatërrimit të pronës”.
n.e/NOA