English

Kapen 13 kg marijuanë në linjën Tiranë-Gjirokastër, destinacioni final Maqedonia

Gjirokastër, 14 prill, NOA – Plot 13 kilogramë lëndë narkotike e llojit marijuanë është mundur të sekuestrohet nga forcat e policisë së Gjirokastrës, ndërsa kanë mundur të vënë në pranga edhe poseduesin e saj.

Ngjarja konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, duke parashtruar se gjithçka ka nisur nga një informacion në rrugë operative se në një autobus të linjës Gjirokastër-Tiranë, kishte hipur një person, i cili kishte një valixhe të madhe dhe brenda saj mund të kishte lëndë narkotike.

Menjëherë, postblloku i ngritur në dalje të qytetit Gjirokastër në afërsi të Viroit, rreth orës 17.35. të ditës së djeshme, ka bërë ndalimin e autobusit ku nga kontrolli i ushtruar rezultoi se në bagazh të tij, u gjend një valixhe me disa pako të mbështjella me letër natriban ku brenda tyre kishte lëndë të dyshuar si narkotike.

Autobusi së bashku me rreth 25 pasagjerë është shoqëruar në ambientet e drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme dhe u krye ndalimi i 26-vjeçarit Ardit Baçja, lindur dhe banues në Gjirokastër, të cilit ia kishte sjellë lëndën narkotike një person nga fshati Lazarat dhe ai do ta transportonte në drejtim të Tiranës kundrejt pagesës prej 1000 eurosh, duke ia dorëzuar dikujt tjetër.

Siç bëhet me dije, destinacioni përfundimtar i lëndës narkotike ishte Maqedonia.

Ndërkaq, forcat e Policisë së Tiranës po punojnë për të evidentuar dhe kapur personin që do ta merrte lëndën narkotike.

Materialet iu kaluan prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme, për veprën penale të “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, vepër kjo e parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE