Tiranë, 14 prill 2011, NOA – Media ka rol jetik në plotësimin e standardeve të zgjedhjeve të lira dhe të ardhmes së demokracisë në Shqipëri. Në këtë përfundim ka dalë Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, i cili vlerëson rolin e medias veçanërisht në periudhat e fushatave elektorale.
Më tej në një deklaratë për shtyp ky koalicion shpreh shqetësimin për një sërë elementësh që tentojnë të kompromentojnë misionin e medias, kryesisht asaj televizive në funksion të transparencës dhe informimit ndaj qytetarit.
Në Raportin e Parë të KVV të publikuar në fillim të fushatës elektorale koalicioni ngriti shqetësimin për transmetimin nga mediat televizive të kronikave, shkrimeve dhe
fotove të përgatitura nga shtabet elektorale të partive.
Në deklaratën e sotme ky koalicioni ka përgëzuar disa nga televizionet shqiptare për vendimin e marrë për të mos pranuar kaseta të gatshme prej partive politike.
Koalicioni i kërkon sakaq të gjithë operatorëve të tjerë mediatikë që të respektojnë etikën profesionale e t’u bëjnë rezistencë përpjekjeve të politikës për të kontrolluar informacionin dhe imazhet që ato kërkojnë tua përcjellin qytetarëve nëpërmjet tyre.
Sipas koalicionit një informacion i tillë i përgatitur dhe i kuruar nga shtabet
elektorale të partive apo kandidatëve nuk është lajm dhe nuk duhet të
transmetohet në edicionin e lajmeve të përgatitur nga gazetarët dhe operatorët
përkatës të mediave elektronike, por janë thjesht reklama
elektorale.
Gjithashtu Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë i bën thirrje partive politike dhe kandidatëve në garën elektorale të 8 majit të heqin dorë nga fabrikimi i
lajmeve elektorale dhe ushtrimi i presionit ndaj mediave për t’i publikuar
ato.
“Pengimi i mediave me arsyen e takimeve të mbyllura, është i pavend, pasi
takimet dhe mitingjet elektorale, pavarësisht nëse bëhen në ambiente të
mbyllura, nuk janë takime të ngushta partiake, por janë takime të hapura dhe
publike ku parashtrohen qëndrimet dhe programet përkatëse elektorale në
funksion të informimit dhe kërkimit të votës së qytetarëve”, bën me dije koalicioni në deklaratën për shtyp.
Koalicioni i kujton operatorë të medias elektronike kombëtare dhe lokale, se “Reklamat për kandidatët për kryetar të njësive të qeverisjes vendore llogariten në kohën e subjektit politik që ata përfaqësojnë. Reklamat e institucioneve publike llogariten në kohën e
subjektit politik, të cilit i përket titullari i institucionit”.
Sipas koalicionit mediat duhet të jenë të kujdesshme veçanërisht në karakterin elektoral që mund të marrin emisionet e parashikuara në programacionin e tyre, pasi duhet të ruajnë baraspeshën mes partive politike në debat.
mit/NOA