English

Krasniqi në Bruksel: Kosova po dëmtohet nga 5 vendet e BE-së që nuk e kanë njohur

Bruksel, 14 prill 2011, NOA- Gjatë qëndrimit të tij në Bruksel Jakup Krasniqi, kryeparlamentari i Kosovës deklaroi se pas zgjedhjeve të përgjithshme Kosova i ka konsoliduar institucionet dhe ka arritur stabilitetin politik në vend.

Këto fjalë ai i tha në seancën plenare të ditës së djeshme, në kuadër të takimit të përbashkët parlamentar të organizuar nga Parlamenti Evropian dhe Kuvendi Kombëtar i Hungarisë, me temën “Ballkani Perëndimor – drejt një Evrope më të integruar”.

Ai theksoi gjithashtu se vendi është i vendosur për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë, për pajtim dhe paqe dhe për integrimin evropian.

Kryeparlamentari i Kosovës shtoi gjithashtu se, vendi e ndien nevojën e ngutshme për ndihmën e BE-së për liberalizim të vizave dhe integrim euroatlantik.

Krasniqi dhe delegacioni kosovar, u takuan edhe me eurodeputetët, Doris Pack dhe Eduard Kukan, ky i fundit, njëherësh edhe kryetar i Delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhënie me Ballkanin Perëndimor.

Eurodeputetët gjatë takimit me drejtuesin e ligjvënësve kosovarë e konsideruan si të padrejtë vonesën e liberalizimit të vizave për Kosovën, premtuan angazhim për të përshpejtuar këtë proces të rëndësishëm për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.

Ndërsa në seancën e sotme plenare, Krasniqi tha se, “Kosova edhe pse nuk është pjesë e BE-së, ka një prezencë të fuqishme civile dhe ushtarake evropiane, prandaj mund të thuhet se tregimi i suksesshëm për Kosovën është rezultat i përbashkët”.

Ndër të tjera Krasniqi theksoi se Kosova po dëmtohet shumë për faktin që pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur ende shtetësinë e saj.

“Ne u bëjmë thirrje atyre që ta njohin Kosovën, që ajo të mos mbetet peng i mosnjohjes dhe që të mund të ecim edhe ne përkrah fqinjëve tanë drejt integrimit evropian dhe prosperitetit të përgjithshëm”, deklaroi ai.

a.y/NOA

KOMENTE